Një efektiv i Repartit “Shqiponja” është dërguar në Gjykatë për proces nga Prokuroria e Fierit, pasi mbylli hetimet disa mujore dhe akuzohet se ka rekrutuar një nxënës të mitur dhe me vështirësi ekonomike e familjare, që të bënte shpërndarje droge në qytet.

Institucioni i akuzës konfirmoi sot (17 prill) mbylljen e hetimeve dhe nisjen e dosjes për gjyq, duke njoftuar edhe akuzat apo dinamikën e ngjarjes së vitit 2024.

“Në përfundim të hetimeve, mbi proedimin penal nr. 380, viti 2024 u arrit të provohet se, punonjësi i policisë i Njësisë së Posaçme “Shqiponja” B.D., me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet për të rekrutuar nxënësin E.H., përdorues i lëndëve narkotike, me probleme familjare dhe në vështirësi ekonomike”, thuhet në dosjen hetimore.

Më tej sqarohet edhe taktika e efektivit dhe mënyra e rekrutimit të nxënësit.

“Duke njohur varësinë e këtij të fundit dhe duke përfituar nga cilësitë e tij si punonjës i shqiponjave, i pandehuri B.D. në fillim “e rekruton” të miturin për t’i dhënë informacione policore, por qëllimi kryesor ishte përdorimi i tij për shitjen e narkotikëve. Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cenuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit E.H.”, shprehet organi i akuzës.

Njoftimi i Prokurorisë Fier:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Shtytja e të miturit në krim’, parashikuar nga nenet 283/1, 248 dhe 129, të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi proedimin penal nr. 380, viti 2024 u arrit të provohet se, punonjësi i policisë i Njësisë së Posaçme “Shqiponja” B.D., me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet për të rekrutuar nxënësin E.H., përdorues i lëndëve narkotike, me probleme familjare dhe në vështirësi ekonomike.

Duke njohur varësinë e këtij të fundit dhe duke përfituar nga cilësitë e tij si punonjës i shqiponjave, i pandehuri B.D. në fillim “e rekruton” të miturin për t’i dhënë informacione policore, por qëllimi kryesor ishte përdorimi i tij për shitjen e narkotikëve. Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cënuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit E.H.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale kundër rendit, sigurisë publike dhe fëmijëve”.