Situata meteorologjike në qarkun e Kukësit është përkeqësuar gjatë orëve të pasdites, ku në lartësitë mbi 800 metra, trashësia e borës ka arritur deri në 20 cm.
Reshjet kanë përfshirë edhe qytetet Kukës, Krumë dhe Bajram Curri, ku megjithëse bora nuk ka krijuar problematika të theksuara, është bërë shkak për zbardhjen e sipërfaqeve urbane.
Policia Rrugore ka bërë thirrje për kujdes nga drejtuesit e automjeteve, duke theksuar nevojën për përdorimin e pajisjeve dimërore, për shkak të borës, lagështirës dhe ngricave në të gjitha akset nacionale dhe rurale.
Në Rrugën e Kombit, veçanërisht në segmentin Fan–Morinë, bora është prezente, por qarkullimi vijon pa probleme të theksuara.
Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile në Kukës ka njoftuar se në disa zona të thella të Tropojës, si Myhejan, Buçaj, Astë dhe Sopot (njësia administrative Tropojë), janë shënuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë apel banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të raportojnë çdo problem në linjat e emergjencës.