Në fjalën e tij në këtë seancë plenare, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, u ndal te rezoluta e dakordësuar nga PS dhe PD për integrimin në BE.

“Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, të gjithë së bashku, pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim, të gjitha pro, kemi miratuar një dokument, ndër më të mirët që ka miratuar ndonjëherë ky Komision. Pas 5 orësh debat, ka brenda edhe kritikën, edhe angazhimin, edhe syrin objektiv, por mbi të gjitha, yllin tonë orientues, anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky mocion me debat, ishte i lidhur me nenin 103, ku thuhet që në fund të debatit miratohet rezoluta. Në fund jemi të detyruar të miratojmë rezolutën, e cila ka kaluar me konsensus. Do të ishte e mirë ta dëgjojmë rezolutën, më pas të çelim debatin.

Të them të drejtën, këto 48 orë, kanë qenë 48 orë të një pune intensive. Të mos ta prishim punën e mirë të Komisionit dhe të vazhdojmë përpara me miratimin”, tha Balla.

Një draft i përbashkët rezolute për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, duke shënuar një moment të rëndësishëm politik në raport me agjendën europiane të vendit.

Drafti final tashmë i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë për procedurat parlamentare.

Në dokument theksohet se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet “objektiv strategjik kombëtar”, që udhëheq të gjithë procesin e reformave demokratike, institucionale, ekonomike dhe sociale të vendit.

Rezoluta riafirmon gjithashtu përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit për mbikëqyrjen e procesit të integrimit europian, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës gjatë negociatave me BE-në.