Rikthehet pas dy viteve mungesë ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze në Forumin Bizantin të Durrësit.

Nisja e muajit qershor përkoi me fillimin e gërmimeve në këtë sit arkeologjik, një nga më të rëndësishmit në qytetin bregdetar.

Pandemia Covid-19 pengoi për dy vite me radhë bashkëpunimin shqiptaro-francez, të nisur që në vitin 2012.

Arkeologu Eduard Shehi thotë për “DurrësLajm” se përgjatë gjithë muajit qershor kolegët e tij shqiptarë dhe francezë nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Lionit, Francë, do të kryejnë gërmime brenda Forumit për të hedhur më shumë dritë mbi topografinë e Epidamne-Dyrrachion apo e thënë ndryshe Durrësit antik.

Së bashku me homologen e tij franceze Catherine Abadie Reynal nga Universiteti i Lionit, Shehi synon që përmes kësaj ekspedite të zbulohet më shumë mbi urbanizimin e qytetit antik.

Forumi bizantin është një monument i trashëgimisë sonë kulturore që daton në shekujt V-VI. Përgjatë gjithë këtij muaji, arkeologët do të vijojnë gërmimet, ndërsa nga fillimi i muajit korrik pritet që ata të dalin me konkluzionet përfundimtare mbi zbulimet arkeologjike, që mund të dalin në dritë në harkun e një muaji.

Ekspedita e fundit arkeologjike e ekipit shqiptaro-francez ishte në verën e vitit 2019, gjatë të cilës u zbuluan fragmente muresh dhe kanalizimesh, që i përkasin një periudhe shumë më të hershme, asaj romake.

Arkeologët po kryejnë studime mbi topografinë e Durrësit në lashtësi, pasi gjatë ekspeditave të mëparshme nën këtë monument u zbuluan fragmente muresh dhe kanalizimesh, që i përkasin një periudhe shumë më të hershme, asaj romake.

Forumi rrethor i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik, fare pranë lagjes së vjetër të zejtarëve në Durrës. Gjatë ekspeditave të mëparshme, arkeologët kanë theksuar se poshtë gjetjeve të fragmenteve të godinave romake të banimit, mund të zbulohen edhe gjurmë të kulturës helenistike dhe asaj ilire.

Forumi Bizantin është një nga ndalesat e grupeve turistike të huaja gjatë vizitave që ata kryejnë në sitet arkeologjike dhe historike të qytetit. Grupe të ndryshme e vizitojnë atë thuajse çdo ditë, sepse megjithëse jemi në fillim të qershorit, në Durrës kanë mbërritur një numër i konsiderueshëm turistët, çka përbën një ogur të mirë për një sezon turistik të suksesshëm.

M.B.