*Mbron Bashën: Drejtimi i tij nuk ka lënë ndonjë krisje të mirëfilltë
4nëntor 2015 – Pas humbjes së thellë kur kandidoi për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma është kthyer me intensitet në politikë. Një një intervistë për Opinion.al koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun në PD flet për aktivitetin e saj politik, sidomos pas humbjes në Bashkinë e Durrësit dhe raportin me liderin Basha dhe demokratët e vjetër, që ajo nuk i quan të tillë.
Zonja Duma duket sikur pas zgjedhjeve nuk keni qenë shumë aktive në politikë. Përse ka ndodhur kjo?
Ju thoni “duket” dhe bëni mirë, sepse vetëm duket, e vërteta është krejt e kundërta. Që nga zgjedhjet e qershorit, aktiviteti im i përditshëm kanë qenë pa shkëputje në takime me njerëz, sa të Partisë po aq edhe qytetarë me probleme nga më të ndryshmet. Takimet e drejtëpërdrejta me njerëzit janë të domosdoshme sidomos në këto momente. Përsa i përket medias kam qenë prezente aq sa është e arsyeshme. Ajo çka duhet kthjelluar mirë, është që edhe debatet politike janë reduktuar plotësisht. Kushdo e ka vënë re që ministrat e kësaj qeverie nuk dalin në publik dhe nuk përballen as me akuzat e opozitës as me ato të qytetarëve. Kjo maxhoranca nuk paraqitet veçse me gazetarë apo duke bërë konferenca dhe monologje. Kodi i heshtjes së tyre ka ulur plotësisht ritmin e përballjeve politike në media.
Si e gjykoni drejtimin që Basha po i bën PD?
Nuk gjykohet ajo çka ende është në proces. Unë them me bindje që ajo çka ka ndodhur në këto dy vite në Partinë Demokratike, nëse nuk do ishte administruar me këto ekuilibra të kujdesshëm rezultati do të kishte qenë larg prej këtij. Ka ndodhur shumëçka në PD në këto dy vite në PD, ndërkohë drejtimi i Bashës nuk ka lënë asnjë krisje të mirëfilltë. Gjithshka tjetër zhvillohet në lëmin e kritikave të natyrshme dhe të nevojshme. Dhe kjo është arritje sepse tregon që Basha paska pasur maturi politike.
Si i shihni komentet e një pjese të drejtuesve të vjetër të PD të cilët besojnë se prurjet e reja kanë qenë një dështim?
I shoh ashtu siç janë, individë me eksperiencat e tyre që thonë atë që mendojnë, dhe kështu duhet të ishte. Po ashtu e gjykoj pozitive që tërheqin vëmendjen e mediave dhe prodhojnë lajm për PD. Termi “drejtues të vjetër” nuk përputhet me konceptin tim për lidershipin. Drejtuesi është ose i mirë, ose i keq, ose i aftë, ose i pazoti. Nuk ka “drejtues të vjetër” në PD.
Përsa i përket prurjeve të reja, ato s’mund të jenë të gjithë të suksesshëm apo të gjithë të dështuar. Një gjë është e sigurt që përgjatë rrugës së opozitës të gjithë provohen më mirë se kur njerëzit e rinj i merr vetëm në pushtet. Nga ana tjetër edhe prurjet e reja janë në proces për të gjetur pikërisht pozicionin nga i cili japin më shumë. Të gjesh vendin e duhur për njeriun e duhur nuk arrihet në pak kohë apo thjeshtë, kjo mer kohën e vet, çka edhe po ndodh në këto momente.
Cili është problemi më i madh i PD sot dhe çfarë duhet të bëjë ajo?
Fill pas humbjes problemi i madh ishte tranzicioni nga pushteti, e gjithë PD duhet të ndjente deri në “kockë” që pas qershorit 2013 ishte opozitë. Kjo kërkonte një tranzicion të vërtetë në kohë. Sot, PD përballet me faktin që pritet jashtëzakonisht shumë nga ajo. Pritet shumë sepse shoqëria ka hyrë në terapi shok-u në çdo sektor. Brenda dy viteve qeveria aktuale ka ndërhyrë kudo në çdo sferë si të ishte si një bombardim. Sapo erdhën në pushtet ishin heqjet masive nga puna në 2013, muajt e parë paralel me fushatën për gjobitje për parkime të gabuara zhvillohej edhe terrori i tritolit nëpër rrugë. Në pritje të punësimit masive cdo ditë rritet papunësia, u vijua me aksion gjobitës bizneseve, aksion fatura- mbledhës, aksion prishjes së ndërtimeve në mënyrë selektive. Ndërkohë që duhet të gjithë të ndërtojmë reforma në të mirë të shqiptarëve, në një vend si yni të nisësh ndërhyrje të tilla në të njëjtën kohë, është e papërballueshme tia dalësh pa shumë kosto për njerëzit. Qytetarët shqiptarë ndërkohë kërkojnë mbrojtje konkrete tek opozita dhe kjo nuk është çështje vetëm dhe thjeshtë protestimi. Mbrojtja duhet të jetë konkrete nëpër gjyqe të drejtave të dhunuara, ku juristët tanë sot ndjekin qindra raste gjyqësore, konkrete kur duhen mbrojtur prishjet evazive, apo konkrete kur ka gjobëvënie selektive; këto janë mijëra çështje që nuk shfaqen nëpër media por që ndodhin përditë. Të përballojë faktin që njerëzit skanë më zgjidhje dhe i drejtohen menjëherë opizitës e cila duhet të mbrojë, të dokumentojë të reagojë dhe në të njëjtën kohë të mbajë standardin demokratik është sfidë e madhe.
A ka një dyzim mes Bashës dhe Berishës sot në qëndrimet e PD?
Nuk ka asnjë dyzim. Ata janë të ndryshëm, por kjo nuk mund të ngatërrohet me dyzimin. Nëse Basha është plotësisht koherent me vendimmarrjen politike, ish-kryeministri Berisha në këndvështrimin tim nuk lë asnjë hapësirë që të lexohet asnjë dyzim.
Cili do të jetë pozicioni yt në të ardhmen?
Jemi në opozitë do vazhdoj të bëj opozitë, gjithnjë e më afër njerëzve, pa ju ndarë komunikimit me opinionin publik. Në të ardhmen, si në të gjitha partitë, do të gjendem aty ku do jetë vlerësuar kontributi dhe kapacitetet e mia.