Nga: Shpëtim KODRA
Kadare:”Kur një diktaturë bie, e para që gjykohet, pas krimeve, është historia që i ka shkruar ajo vetes. Bllokimi i procesit të pastrimit është fatal për të ardhmen e kombit”.Në Shqipëri as krimet s’janë dënuar, as dekomunistizimi si proces politik, etik e kulturor, si detyrim i ndërgjegjes historike, s’është bërë. Pa realizimin e këtij kushti, të cilin e ka detyrim parlamenti, as historia e vërtetë shkencore nuk mund të shkruhet, pas atij manipulimi gjigant, kur Partia kontrollonte gjithçka dhe vendoste se cilat fragmente të historisë do të ruheshin, manipuloheshin, fshiheshin.
Pa një histori shkencore, nuk ka identitet të përcaktuar e dinjitet kombëtar. Përmes historisë pasqyrohen qytetërimi, traditat, zhvillimi politik, ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit. Ciceroni:”Historia është mësuesja e jetës, është dëshmia dhe drita e së vërtetës”.Koncepti i së vërtetës përmban dimensionin shkencor, por edhe atë etik, përgjegjësinë morale. Vihen në balancën e drejtësisë vlerat dhe antivlerat për ngjarjet dhe personalitetet e rëndësishëm, për t’u dhënë vendin që u takon në histori. “Drejtësia është kushti i parë i qytetërimit”-thotë Frojdi.
A mund ta shkruajnë historinë objektivisht politikanët? Përgjigjen na e jep Migjeni:”Politika s’ka rregulla, s’ka ligj, s’ka as moral; asht kameleon”.Kryetari i Akademisë që cakton historianët në grupin e punës për rishkrimin e historisë së shqiptarëve- ish ministër, ish kryetar parlamenti, kryetar i PSD. Paskal Milo, ish ministër i jashtëm, ish deputet, kryetar i PDS. F.Lubonja, kohë më parë ka shkruar:”Pas diktaturës u krijua një version dykrerësh i kujtesës dhe historisë. Mnemoteknika e socialistëve punoi me metodën e harresës, të fshirjes nga kujtesa të krimeve.
Lufta n.çl u ruajt thuajse krejtësisht në variantin që kish gatuar hoxhizmi. Paskal Milo nuk i përdor fjalët terror, krime, persekutime, burgje, internim e izolim që janë fjalë kyçe, kur analizohen regjime si ai i Hoxhës. Ai kërkon t’i flasë kujtesës së atyre socialistëve që nuk duan t’i kujtojnë krimet e atyre kohëve, sepse i kanë kryer vetë. Historia e ka dënuar ardhjen e komunistëve në pushtet, pasi përdorën dhunë e krime, ngase përzien një luftë me karakter çlirimi kombëtar me një revolucion proletar, i cili synonte të vendoste diktaturën”.
Në intervistë për “Panoramën” Paskal Milo u shpreh:”Një historian që vendos emocionet, bindjet dhe përkatësinë politike në peshoren e analizës e të gjykimit, nuk është në gjendje të japë produkt objektiv e realist historiografik”. Në fjalinë pasuese ai shton:”Një historian me bindje të djathta në Shqipëri, apo ish i persekutuar politik, nuk do të kishte predispozicion objektiv për të gjykuar figurën e E.Hoxhës në procesin historik. Produkti i tij do të ishte një karikaturë blozë kriminale fund e krye”. Pra z.Milo parashikon blozën e kërkon “zbardhjen e faqes” së diktatorit, duke u shprehur me cinizëm e pa respekt për ata që ka terrorizuar e torturuar diltatori e diktatura.
Z.Milo mendon njëanshmërisht që figurën e E.Hoxhës ta trajtojë vetëm e majta. Ai përjashton ndoshta nga e drejta historianët e njohur dr.prof. L.Malltezi, dr.prof.R.Gurakuqi, U.Butka, E.Kapri, V.Baruti,S.Maxhuni etj. studjuesit K.Dervishi, D.Kaloçi etj. Përjashton edhe autorët e një korpusi të tërë librash, me vlera njohëse e artistike, që sjellin dëshmi të gjalla nga krimet e diktaturës e të diktatorit që i kanë pësuar në kurriz: V.Zhiti,F.Saraçi, A.Kasoruho, P.Taçi, L.Ndoja, L.Stani, L.Myftiu, F.Myrtaj, D.Gumeni, T.Aliko, B:çoku, L.Tasi, P.Velaj, Y.Merdani, G.çela, H.Haxhiaj, M.Rakipi etj.
P.Milo:”Procesi i vlerësimit,apo i rivlerësimit të figurave historike, është delikat, i vështirë e i komplikuar. Rrugëzgjidhja është përqëndrimi i analizës te procesi historik, te ngjarja e te fenomeni historik dhe jo te personalizimi i tyre”. Por roli i individit në histori ka rëndësinë e pamohueshme. Ndërsa diktatorët i krijojnë vetes rolin e Mbinjeriut, pavarësisht se gjthnjë flasin “në emër të popullit”. Z.Milo vetë personalizon, kur e konsideron E.Hoxhën figurë qendrore në dy periudha, në Luftë e pas saj. Milo:”Historishkruarja është një proces dinamik e dialektik në vazhdimësi, në kërkim të reflektimit të së vërtetës historike”. Z.Milo e ndan figurën, rolin, veprimtarinë e sh.Enver në dy pjesë: figurë pozitive gjatë luftës, diktator jo i keq pas lufte.
Diktatorët nuk lindin si të tillë; ata formohen e zhvillohen në varësi të kushteve familjare e sociale. Edhe komunistët po ashtu. Prandaj K.Hazbiu ka thënë:”U ngjitëm në mal si partizanë dhe zbritëm nga mali si komunistë”.Shumica dërrmuese e partizanëve, vajza e djem të rinj idealistë, si im vëlla,( që pas lufte hapi librari) luftuan për liri, demokraci e paqe sociale. Por idealet e tyre u nëpërkëmbën nga diktatura mizore, pushteti njëpartiak i majtë, i formuar që më 24 maj 1944 në Përmet. R.Parllaku: “Premtuam liri, sollëm skllavëri; premtuam mirëqenie, sollëm varfëri”.
P.Milo:”Shqipëria vërtet ishte një vend i modelit oruellian, por edhe aty jetonin njerëz që lindnin e vdisnin, që kishin gëzime e hidhërime, që nuk kishte vetëm burgje e kampe përqëndrimi. Mbi 90 % e popullit punonte, shkollohej, martohej e gëzohej, bënte familje, haste në vështirësi për të nxjerrë bukën e gojës, por fëmijët i çonte në shkollë. Kishte teatro, kinema, universitete, institucione shkencore, rrjet spitalor, hidrocentrale, uzina e fabrika që punësonin njerëzit e zhvillohej vendi. Nuk do të jetë historia e regjimit, por historia e shqiptarëve në çdo dimension”.
Si duket në kapitalizëm nuk punonin, nuk shkolloheshin; s’kish teatro, kinema, universitete, spitale, fabrika, uzina etj. Vuanin për bukën e gojës e nuk zhvilloheshin. Marksi mendonte ndryshe. Marksi që më 1872 shpresonte që Revolucioni të fitonte paqësisht në vendet që ishin zhvilluar, si: SHBA, Anglia apo Holanda. Edhe Engelsi te “Lufta e klasave në Francë” (1895) e mbështet qëndrimin e Marksit, i cili flet për rolin e dhunës në histori, por jo për atë dhunë sistematike ndaj individit. Në praktikë në Rusi Lenini organizoi “grushtin e shtetit”, Revolucionin e Tetorit.
Me 6.9.1919 M.Gorki i shkroi Leninit:”Pasuria e një vendi, fuqia e një populli maten me sasitë dhe cilësitë e intelektualëve. Revolucioni ka kuptim vetëm nëse favorizon zhvillimin e potencialit intelektual. Por ne, duke shpëtuar lëkurën tonë, presim kokën e popullit, vrasim trurin tonë”. Lenini i përgjigjet Gorkit:”Forcat intelektuale të punëtorëve rriten e shumëfishohen në luftën për përmbysjen e borgjezisë dhe të larove intelektualë të neveritshëm, lakej të kapitalit që mbahen si truri i kombit. Në të vërtetë nuk janë truri, por muti. Terrori-drejtësia revolucionare e klasës”
Edhe E.Hoxha, me kompleksin e inferioritetit ndaj Perëndimit, si dhe ndaj elitës intelektualë, në “Shkretëtirën e tartarëve” krijoi “Kështjellën” (e Kafkës), por shkëmb graniti. Raca e re e “njeriut të ri”(spiun, servil, mashtrues) do të marshonte drejt Utopisë vrasëse, përmes luftës së pandërprerë të klasave, me diktaturën e proletariatit. Kështu arriti në vetasfiksim, vetëshkatërrim e vetasgjësim të ekonomisë. Por Komandanti legjendar i Luftës u bë Arkitekti i Socializmit shqiptar duke përfunduar si i vetmi mbrojtës i Komunizmit në shkallë botërore, i vetmi luftëtar i denjë kundër Natos e Traktatit të Varshavës, i vetmi Zot që eleminoi fenë me dekret.
Që të hartohet një histori e saktë, e vërtetë e shkencore, që nga ilirët deri në demokraci, duke sintetizuar edhe arritjet e shkencës albanologjike, pas diktaturës, është mjaft e vështirë, por me përkushtim, ndershmëri e paanshmëri gjithçka arrihet. Janë mjaft ngjarje e figura që duan një trajtim krejt të ri, të ndryshëm e të kundërt me historiografinë komuniste. Janë botuar mjaft studime e monografi që duhen marrë në kosideratë. Duhet pasqyruar kontributi i shqiptarëve në lëvizjet e luftrat evropiane. Marko Boçari e arvanitasit në revolucionin grek, arbëreshët në lëvizjen garibaldine etj. Gjin Bua Shpata me fitoret ndaj grekëve e sllavëve. Mërkur Bua Shpata etj. Duhet evidentuar edhe kontributi i të huajve që kontribuan për çështjen shqiptare, si A.Herbert, Xh.F.Uiljams, gjeneral Telini, koloneli Tomson etj. Një fushë shumë e gjerë. Por edhe pse janë dy periudhat më të reja, Lufta e dytë botërore dhe Diktatura paraqesin një problematikë mjaft të ndërlikuar, edhe për shkak të qëndrimeve tejet kontradiktore të historianëve.Këtu po ndalem.
Edhe me hapjen e arkivave perëndimore, por jo të arkivave ruse, serbe,malazeze e greke që janë edhe më të domosdoshme, përsëri ndeshen qëndrime subjektive e selektive. P.Milo nxjerr një njoftim të ri, por pa zbuluar enigmën e tij, kur thotë:”Takimi i Mit’hat Frashërit e Napolon Zervës në Voskop të Korçës, është pjesë e një nënkapitulli që unë kam shkruar për vëllimin II të Historisë së shqiptarëve në Luftën e dytë botërore. Ndërsa kryeministri ka thënë:”Mit’hat Frashëri, bartës i ndershmërisë intelektuale, i dha Shqipërisë gjithçka kishte e gjithçka mundi. U dënua, jo nga një gjykatë, por nga një gjyq i pafundëm rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit”.
Z.Rama i kundërvihet edhe studjuesit A.Tare, i cili e konsideron Martin Camajn poliagjent, por dhe bashkëpunëtor të ish Sigurimit. E.Rama:”Martin Camaj agjent i UDB-së?! Shpifje! Camaj ishte trashëgimtar i denjë i rilindasve. Ai zuri vend në krenajat e letërsisë, por mishëroi edhe sfilitjen fizike e shpirtërore të persekutimit komunist. Si një mallkim e ka ndjekur hija e persekutorëve, me mashat e mllefit që ka mediokriteti. Camaj u arratis, sepse ,për të mos çuar në burg dy shokë të tij që i kërkonte Sigurimi, i informoi ata e u dha shansin të arratiseshin.Është e shkruar në dosje”.
Po përjetojmë një demokraci totalitare, jo funksionale, hibride, të shartuar me mendësi e personazhe të diktaturës. Drejtësia e korruptuar, e inkriminuar, e indoktrinuar nuk i dënon shpifësit, kriminelët, politikanët. Në Perëndim, por edhe në Lindje injorimi, justifikimi, apo mbrojtja e krimeve dhe kriminelëve, si nazistë edhe komunistë, përbën vepër penale. Lidhur me Luftën E.Rama ka dhënë më 1992 një përcaktim të tillë:”Lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës është PKSH, e drejtuar nga jugosllavët”.
Janë shkruar disa monografi për E.Hoxhën dhe një për N.Hoxhën; së fundi edhe një vepër letrare e titulluar “Diktatori në kryq” e M.Meksit. Nga libri “E.Hoxha”-biografi e bazuar në arkivin personal të diktatorit, citoj një fragment vlerësues:”E.Hoxha i imponoi historisë versionin e tij. Ai rezulton i paturpshëm për t’i transformuar ngjarjet, për t’i fshirë, ose për t’i zhdukur personazhet dhe për të ngritur në histori një protagonist të vetëm: atë vetë. Ai, jo vetëm e shoqëroi trukimin e historisë me eleminimin e dëshmitarëve, si dhe të tjerëve që kishte pasur afër, por i nisi trukimet dhe eleminimet që në vitet e para të karrierës së tij në PKSH”.
Miti i luftës më të lavdishme në histori, si dhe miti i komandantit legjendar, hidhen poshtë nga vetë E.Hoxha në plenumin e Beratit, ku bëhet rezymeja e Luftës së komunistëve dhe e Frontit që përfaqësohej nga ata. Nga arkivat U.Butka ka sjellë referatin e E.Hoxhës dhe diskutimet. Në këtë plenum, të cilin z. Milo nuk e përmend asnjëherë, sh.Enver pranon që gjatë luftës është ndjekur një vijë terroriste në popull, në ushtri e në parti. Ndër të tjerë ai thotë:”Udhëzimet e vërejtjet e sh.Tito ishin për ne fanarët që duhej të na ndritnin. K.Q ishte i identifikuar me Miladinin dhe praktikisht K.Q nuk kish. Edhe çdo gjë që thoshte Aliu ishte e mbaruar.
Unë mora shumë nga Aliu, por keqbesimin dhe jo dashurinë për shokët. Për vijën politike mendoja si Aliu, asgjë më ndryshe. Në qëndrimin ndaj nacionalizmit unë mbroja tezën që mbronte Aliu. Në princip ne nuk donim të punonim me nacionalistët. Nga kjo arsye Balli doli si organizatë indipendente dhe e lamë të hynte në kampin e armikut. Ne kërkonim që ata të hynin në Front. Ata s’hynin në Front, se për ata s’kish Front, por kish parti komuniste. Ne zgjodhëm rrugën më të gabuar. Nga oportunizmi i parë, u hodhëm në një sekatrizmë të ekzagjeruar.
Labinoti ishte mbledhja karakteristike që tregonte panikun tonë dhe mospërfilljen, as të Ballit, as të popullit, i cili ishte vënë në korrent të vendimeve që ishin marrë në Mukje. Vija terroriste është e fortë te Dushani”. Atje Aliu i kish thënë Mustafait:”Ti ke lidhje me anglezët”. M.Gjinishi ish përgjgjur”Nuk jam tradhtar”. Pas vrasjes së Mustafait telegrami thoshte:”Puna doli me sukses”. E>Hoxha:”Parulla “ja me ne, ja kundër nesh, ishte në rendin e ditës. Në Lumë po vihen në plumb në mënyrë histerike katundarë që dorëzohen e shokët tanë i pushkatojnë. Ata zhdukin çdo njeri që nuk është me ne, por edhe njerëz të thjeshtë të popullit, si dhe anëtarët e partisë.V.Shanto:”Q.Stafa kish arritur rezultate të mira me nacionalistët”.
Muharrem Bajraktarin që s’paraqitej kundër Frontit e goditën edhe pas krahëve, kur ai na jepte dorën si mik”. M.Myftiu:”Kur kemi dëgjuar se M.Bajraktari ka hapur luftë me gjermanët, jemi dëshpëruar. Atëhere ne menduam të vinim në konflikt me të e ta zhduknim”. Edhe V.Stoiniç kish pranuar:”Kohë pas kohe M.Bajraktari ka udhëhequr luftën kundër gjermanëve”. Komunistët vranë dy djemtë e tij dhe ia dogjën shtëpitë. Për vrasjen e këtij patrioti të shquar që në vitin 1928 serbët kishin dhënë 150.000 dinarë. E.Hoxha në Labinot kish thënë edhe:”T’i hedhim Ballin e nacionalistët në krahun e okupatorit, për t’i luftuar e asgjësuar”. 35 dëshmorë të Gërhotit u vranë në luftë me italianët. U vranë nga gjermanët H.Lepenica, S.Muço, Y.Ismaili, Z.Mezini etj. Nga komunistët të gjithë nacionalistët u quajtën kolaboracionistë e tradhtarë.
Në Kosovë Lëvizja çlirimtare Kryeziu pati një fat tragjik. Ata organizuan luftën antifashiste, por dhe veprimet luftarake kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës. P.Kemp:”G.Kryeziu udhëhoqi një fushatë të shkëlqyer kundër gjermanëve dhe i përzuri ata nga Gjakova. Gjermanët i dogjën shtëpinë”. R.Hibbert:”Vëllezërit Kryeziu bënë disa sulme çetash kundër njësive gjermane. E.Hoxha e Titoja kishin vendosur që do të ishte më mirë të mos kishte fare rezistencë antifashiste në Kosovë, se sa të kishte lëvizje, udhëhequr nga G.Kryeziu, me mbështetjen anglo –amerikane”. Me 8 korrik 1944 batalione të brigadës I S sulmuan nacionalistët dibranë në Fushë Alie (Dibër), kur atje nuk kishte as gjermanë, as serbë.Me 28.10 -16.11.1944 masakra në hotel “Bristol”.
Me 23 gusht 1939 u bë Pakti i Zi kolaboracionist Molotov-Ribentrop për copëtimin e Polonisë. Prof.dr.L.Malltezi:”E.Hoxha filloi propagandën komuniste në vitet 1939-1940, duke deklaruar hapur se simpatia e të kuqve drejtohej kryesisht për Italinë e Gjermaninë. Parimet fashiste e naziste kishin më tepër afinitet me komunistët se sa me imperialistët. E.Hoxha mori anën e bllokut anti italian, vetëm pasi Rusia u përfshi në luftë”. Në shtator 1943 Gjin Marku bëri marrëveshje me gjermanët. Peter Kemp:”Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë bashkëpunimi me britanikët ishte një krim shumë më i madh se bashkëpunimi me gjermanët”. Në një radiogram, dërguar korparmatës I, E.Hoxha thotë:”Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, po me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet e të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët”. A janë të vërteta këto të dhëna dhe, nëse po, përse i injoron e i mbulon z.Milo? Kur D.Ndreu e njofton për arrestimin e Zai Fundos (personalitet komunist idealist), E.Hoxha i dërgon radiogram korparmatës I:”Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”.
Si përcaktim i qartë i luftës civile, vlen thënia e B.Fisherit:”Anglezët ndikuan në Marrëveshjen e Mukjes, jugosllavët në prishjen e saj”. Në Mukje nacionalistët u shprehën për një Shqipëri etnike, demokratike, pluraliste. Si shpallje e hapur tashmë për luftë civile vlen dhe qarkorja e PKSH e 1 qershorit 1943:”Tani bëhet fjalë për shpartallimin e Ballit”. Kur gjenerali Hoxhson e pyeti E.Hoxhën, nëse do të merrte pjesë në zgjedhjet e vitit 1945 ndonjë grup opozitar, E.Hoxha iu përgjigj:” Opozitën e hoqi qafe Revolucioni Popullor”. Edhe me 15.9.1982 E.Hoxha do të prononcohej:”Lufta n.çl, Revolucioni Popullor kishin qëllim kryesor marrjen e pushtetit”.Lufta civile vijoi edhe pas vitit 1944. Te “Kronikë në gur” thuhet:”Dita e parë e çlirimit –ditë pushkatimesh”. Se si u prit komunizmi nga populli shqiptar, e dëshmojnë kryengritjet në Tamarë, Bërdicë, Postribë e që u pasuan nga dënime e pushkatime të shumta që vijuan gjer më 1948, kur u zhvllua në jug kryengritja e Zhapokikës. Masakra e Tivarit (31 mars 1945) –krim i ushtrisë komuniste jugosllave.
Politika e E.Hoxhës ishte një imitim i doktrinës leninisto-staliniane. Me 18.9.1918 Lenini nxierrte dekretin:”Siguroni Republikën Sovjetike nga armiqtë e klasës, përmes izolimit të tyre në kampet e përqëndrimit”. Që më 17.11.1944 E.Hoxha i dërgoi radiogram D.Ndreut:”Të organizohen burgjet e fushat e përqëndrimit”. Si vazhdim i natyrshëm i luftës civile vëllavrasëse e me të njejtin protagonist, nisi lufta e përbindshme e klasave, e cila promovohej si motor i zhvillimit shoqëror. në mungesë të lirive e të drejtave themelore të njeriut. Një bilanc tragjik e tejet tronditës në 46 vitet e diktaturës. Heronjtë e kryengritjeve antikomuniste, ata të revoltave të përgjakshme të Spaçit, Qafë Barit etj. duhet të zenë vendin e merituar në histori. Përmes analizës së duhur të indoktrinimit në arsim e kulturë, të centralizmit e dështimeve në ekonomi, të bunkerizimit ushtarak etj. të evidentohen krimet e diktaturës, që kërkonin të justifikonin dështimet.
Prof. Lori Amy:”I gjithë vendi nën diktaturë ka qenë një skenë krimi”. Lufta ndaj fesë e klerikëve ka nisur që gjatë luftës. Me 16.7.1944 vritej e digjej nga partizanët Patër Lek Luli. Arrestoheshin nacionalistët S.Dangëllia me 8.10.1944, si dhe O.Kazazi më 14.11.1944. Pra diktatura nuk u shfaq më 28 nëntor 1944, kur parakaloi në Tiranë E.Hoxha dhe e festoi si Ditë të çlirimit, e cila u zëvendësua nga 29 nëntori në vitin 1945. Me 28 nëntor 1944 në katedralen e Shkodrës, u ul flamuri shqiptar e u ngrit flamuri jugosllav. Pas Luftës vdiqën në burgje e u pushkatuan 63 klerikë. Në kampin e Bedenit, ku u burgos edhe im atë, në një brigadë pune ishin 29 priftërinj katolikë që duhej të punonin, përveç tetorëshit, edhe tri orë të tjera:një për komandantin tonë, një për druzhe Titon dhe një për shokun Stalin. Me 27.6.1946 E.Hoxha do të dekorohej me titullin “Hero i popujve të Jugosllavisë”. Në konferencën e paqes në Paris deklaronte se “Shqipëria nuk kish interesa territoriale ndaj Jugosllavisë”. Me 14.3.1948 Byroja vendosi bashkimin me Jugosllavinë. Këto fakte të dhëna nga historianët janë kolaboracionizëm, tradhti apo internacionalizëm?
Goditje të rëndë morën edhe artet e letërsia, e cila përshkohej nga mitomania, falsifikimi i fakteve e i të vërtetave. Letërsia duhej të zbatonte 5 parimet dogmatike të realizmit socialist, që shkrimtarët të mos e pasqyronin jetën realisht, por si “ndihmës të pazëvendësueshëm të partisë për edukimin komunist të masave”. Krahas letërsisë propagandistike që ferrin duhej ta paraqiste parajsë dhe utopinë realitet të mundshëm, u zhvillua edhe një letërsi martire. 200 shkrimtarë e artistë u dënuan, 50 vdiqën në hetuesi, ose u pushkatuan. Ata sollën thjesht realizëm pa mbiemrin “socialist”, të vërtetën e pastër. Pushkatoheshin T.Xhagjika, V.Blloshmi e varej H.Nela, se thurnin vargje për atdheun lakuriq, për shkretëtirën, apo për të drejtat e njeriut.
Dënohej edhe muzika. Pushkatoheshin dy të rinj beratas, pasi prokurori ulërinte:”Keni dëgjuar këngë italiane”! Dënohej festivali XI, se kish këngë për dashurinë e nuk i këndonin Partisë dhe Udhëheqësit. Ishte viti, kur, përveç shumë të tjerëve, G.Morandi këndonte:”L’amore no, non puo’ morire! sarebbe come dire! che questa e’ la fine”. Dhe Albano:”Saranda in Albania, mi raccontava mio padre, mentre piangeva: mi hanno mandato in guerra, contro la brava gente; non lo farei mai piu”. Me 20 shkurt 1991 shqiptarët hodhën monumentin e diktatorit. Me riciklimin e busteve të Leninit, Stalinit dhe Enverit, skulptori F.Dushku me 1.7.1992 ngriti në Gëtingen –Gjermani monumentin e filozofit e fizikanit të shquar G.Lichtenberg. Skenarë filmash për diktaturën kanë shkruar T.Aliko, N.Ajazi. Në 2015 Edizano Gjini fitoi në Budapest çmimin e parë për dokumentarin për krimet e komunizmit. Niveli i ulët i demokracisë -–pasojë edhe e harresës historike. Brezi i ri nuk e njeh historinë e vërtetë. Ai mbetet i paorientuar, i paqartë e i pasaktë si duhet. Letërsia e kujtesës korrigjon historinë. E vërteta artistike është e vërteta më e lartë. Historia e letërsia –dy disiplina që e ndihmojnë dhe ushqejnë njëra- tjetrën.