Gazetari Nebil Çika, deklaroi një ditë më parë se është kërcënuar me jetë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, në kafenenë pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike, për shkak të një shkrimi që ka botuar kundër numrit dy të opozitës. I pyetur nga “Shekulli”, Çika u shpreh se Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, në momentin kur e ka kërcënuar ka qenë esëll. Ai e ka denoncuar ngjarjen edhe te kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por, siç thotë gazetari Çika, ende s'ka marrë një përgjigje nga ai. Ai kërkon që Partia Demokratike të distancohet publikisht nga akti i rëndë i Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani.

Keni akuzuar se numri dy i partisë Demokratike Arben Ristani ju ka kërcënuar me jetë. A mund të na thoni se si ndodhi? 

Isha në një kafene në oborrin e PD-së rreth orës 11.00. Sa u fut në lokal, Arben Ristani erdhi direkt te tavolina ime, ku pija kafe me një mik, ish-student i dhjetorit ‘90 dhe themelues i PD-së. Më drejtohet: “Mos shkruaj më për mua! Do të bëj atë që nuk ta pret mendja. Do të të var nga gjuha. Nuk më njeh mirë mua se çfarë të bëj”. Dhe pafund kërcënime e fyerje që i përsëriste vazhdimisht për rreth pesë minuta! Unë nuk lëviza nga tavolina. I thashë që ato që shkruaj janë të vërteta, nëse nuk ishte dakord të përgjigjej publikisht. Ai vazhdoi mekërcënime dhe fyerje.

Cilat kanë qenë raportet tuaja me zotin Ristani? 

Kemi njohje te hershme. Korrekte, jo të afërta! Si mes një politikani dhe një gazetari, të mira, për më tepër që unë për shkak të bindjes time politike të djathtë e kam mbështetur PDnë në politikën time editoriale.

Cili mendoni se është shkaku i kërcënimit ndaj jush nga Ristani?

Unë kam pasur edhe kritika në shkrimet e mia ndaj tij, njeri prej të cilëve është botuar dy ditë më parë. Ky shkrim ishte edhe arsyeja e kërcënimit të tij! Ai më tha edhe që kisha gabuar me shkrimin: Pse nuk shkon dot në Vlorë Arben Ristani?! E kishte me punën time si gazetar, me shkrimet e mia. Ishte i qartë për arsyet dhe motivimin e kërcënimeve dhe fyerjeve. Për më tepër që ishte edhe esëll.

A kishte njerëz të tjerë dhe cili ishte reagimi i tyre në momentin kur ai ju kërcënoi me jetë?

Nuk reaguan fare gjatë agresionit verbal të Ristanit. Kuptohet ishin zyrtarë të PD-së shumica. Ai është shefi i tyre, Sekretari i Përgjithshëm. I thashë Nard Ollit: “Pse nuk reagoni, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së po kërcënon një gazetar dhe ju heshtni?! Kështu do vini në pushtet?!” U pendova më vonë që i fola kështu Nardit. Çfarë do të bënte ai?! Ristani është shefi i tij. Më vonë shumë njerëz e militantë të thjeshtë erdhën të më mbështesnin dhe në bisedë me mua e dënuan sjelljen e tij si të paprecedentë, se fundja është numri 2 i opozitës. Nuk kam gjë me njerëzit atje. Mbase u zunë në befasi. Nuk pritej kjo sjellje kriminale nga një nivel kaq i lartë politik.

E keni denoncuar? 

Ende nuk e kam bërë. Kam biseduar me një avokat. Do ta diskutoj me të dhe do ta shqyrtojmë çështjen. Nuk besoj se është një betejë ligjore, sepse nuk është e para herë që jam kërcënuar në punën time si gazetar. Por është për herë të parë nga një politikan i nivelit të lartë e deputet, veçanërisht i PD-së.

Keni kontaktuar me ndonjë zyrtar të lartë të PD-së për ta informuar për këtë incident? 

I kam nisur një mesazh zotit Basha menjëherë pas kërcënimit. Vetëm e informova për sjelljen e vartësit të tij. Nuk më ka kthyer përgjigje ende, por as unë nuk i kërkova të më përgjigjej personalisht. Sigurisht që pres një distancim publik dhe një qëndrim zyrtar ndaj aktit të rëndë dhe të Ristanit si politikan i PD-së, jo vetëm nga z. Basha por edhe nga drejtuesit e strukturave politike të PD-së. Nuk është vetëm një sherr apo kërcënim personal, por një raport i nr. 2 të opozitës me lirinë e fjalës dhe shtypit.

Marrë nga gazeta "Shekulli"