25 dhjetor 2014 – Trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, hap dyert e largimit për Mario Balotellin duke u shprehur se lojtari nuk i përshtatet stilit të lojës që ai aplikon tek Liverpooli. 24-vjeçari ka shënuar vetëm 2 gola që nga momenti kur "The Reds" e blenë nga Milani për rreth 20 milionë euro dhe për Rodgers deri në këto momente lojtari nuk ka treguar në fushë atë që drejtuesit e klubit prisnin nga ai. Trajneri ka dhënë disa arsye pse e ardhmja e Super-Marios nuk është e sigurtë në "Anfield Road".
"Unë e shoh çdo ditë në stërvitje Marion, ai është një lojtar fantastik por për të shprehur kualitetet e tij ai duhet të luajë në një sistem tjetër loje. Balotelli kërkon që i gjithë ekipi të luajë për të por ky nuk është stili i Liverpoolit. Po mundohem që ta përshtas në sistemin 3-4-3 por ai nuk po jep rezultat", është shprehur Rodgers.
Pas 17 javësh, Liverpooli gjendet në vendin e 10 në Premier League me vetëm 22 pikë, shumë pak në krahasim me atë që kërkon Rodgers. Rodgers e mbylli duke thënë se Mario do t'i shfaqë cilësitë e tij përpara portës por nuk siguroi nëse lojtari do të vazhdojë të luajë për Liverpoolin nëse vjen ndonjë ofertë në adresë të tij këtë merkato dimri.





