Pas disa javësh do të mbushë 40-vjeç por Roger Federer nuk ka ndërmend të tërhiqet nga tenisi. Në Wimbledon veterani helvet u eliminua në çerekfinale pasi u mposht lehtësisht 3-0 me sete nga polaku Hubert Hurckaz, duke treguar se dëmtimet e shpeshta por edhe vitet e shumta mbi shpinë e kanë frenuar në rrugën e tij drejt sukseseve. Dëshira e mbretit Roger ishte të përfaqësonte edhe për një herë të fundit Zvicrën në Lojrat Olimpike Tokio 2020 por edhe këtë herë një dëmtim në gju është bërë shkak që Federer të tërhiqet. 39-vjeçari i cili arriti të fitonte medaljen e Argjendtë në Lojërat Olimpike Londër 2012 me një postim në rrjetet sociale ka zyrtarizuar tërheqjen nga Tokio 2020, pikërisht për shkak të një lëndimi megjithatë Federer nuk demoralizohet dhe shpreson të jetë gati për Slamin e fundit të vitit US Open.

“Duhet të tërhiqem nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të një dëmtimi në gju.Jam shumë i mërzitur, pasi ka qenë një ndër pikat më të larta të karrierës time sa herë kam përfaqësuar Zvicrën. Tani kam nisur me periudhën e rehabilitimit, në mënyrë që të kthehem në fund të verës. I uroj gjithë ekipit zviceran fat!”.Roger Federer numëron deri tani 1251 fitore në karrierë dhe 20 turne Grand Slam po aq sa edhe Novak Djokovic e Rafael Nadal.