Nico Rosberg shënon emrin në listën e fituesve të Çmimit të Madh të Singaporit, duke regjistruar suksesin e 22 në karrierë, rezultat që tashmë e barazon pilotin gjerman me britanikun Damon Hill. Megjithë fitoret në Spa, Monza dhe Marina Bay bëhen tre radhazi për 31-vjecarin nga Wiesbaden, që koleksionon kështu triumfin e tetë sezonal, duke rimarrë njëherësh edhe kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve. Pra bëhen 8 në 15 gara, e praktikisht Rosberg ka fituar më shumë se gjysmën e garave të zhvilluara deri tani, sidoqoftë ishte një tjetër fitore rutinë për të, ndonëse në fund numri 6 u shtrëngua për të zmbrapsur tentativat e australianit Daniel Ricciardo, që me Red Bullin e tij e mbylli garën me më pak se gjysmë sekonde diferencë. Në provat zyrtare Nico kishte plot 0.5″ avantazh kundrejt Ricciardo-s dhe në fund gjërat në cirkuitin Marina Bay shkuan sipas parashikimeve, teksa Rosberg u bë piloti i shtatë radhazi që triumfon në Singapor duke startuar nga vendi i parë. Në podium praktikisht u ruajt hierarkia e pole position dhe Lewis Hamilton kompletoi treshen e parë, gjithsesi gara nuk ishte aspak e thjeshtë për t’u administruar nga kampioni në fuqi, pasi piloti britanik pati probleme me mbinxehjen e frenave. Për pjesën më të madhe të kohës 3 herë kampioni i botës ishte jashtë podiumit, megjithatë rokada me Kimi Raikkonen ndodhi pikërisht në xhiron e 46, kur piloti finlandez ndërroi gomat për herë të pestë. Përfundimisht dyshja e Ferrarit mbeti jashtë podiumit, sidoqoftë gara e Sebastian Vettel ishte krejtësisht e ndryshme, teksa piloti gjerman u nis nga vendi i fundit, për ta mbyllur aventurën e tij në Singapor në pozicionin e pestë, pothuajse gjysmë minute larg kreut. Për t’u shënuar futja në pistë që në fillim e makinës së sigurisë, pas përplasjes së Nico Hulkenberg me Carlos Sainz Jr, ndërkaq përsa i përket vendeve të tjera Verstappen dhe Alonso u pozicionuan respektivisht në vendet gjashtë dhe shtatë, me treshen Perez – Kvyat – Magnussen që kompletoi zonën e pikëve. Fitorja në garën e 200 në karrierë tashmë e ngjit gjermanin Nico Rosberg në krye të renditjes, me 8 pikë më shumë sesa shoku i tij te ekipi Mercedes Leëis Hamilton. Ricciardo e con në 26 pikë avantazhin e tij kundrejt Sebastian Vettel, me Raikkonen që pozicionohet në vendin e pestë, me 5 pikë më pak se 4 herë kampioni i botës Sebastian Vettel, ndërkaq përsa i përket konstruktorëve 6 gara para fundit skuadra Red Bull klasifikohet në vendin e dytë me 13 pikë më tepër se Ferrari. Ndalesa e radhës do të jetë në Sepang, për Cmimin e Madh të Malajzisë që do të zhvillohet pas dy javësh në Kuala Lumpur.