Nga BUJAR QESJA

Shkak për këtë shkrim, u bë dita e martë, e datës 24 nëntor 2020, ditë në të cilën njoftohem për një lajm të dhimbshëm. Fjala dhimbje nuk ka qenë aq shumë e përhapur, sa në këto kohë ku lëngon zemra dhe shpirti. Mësuesja e ardhur në Shqipëri nga kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik – Moskë, Rufima Sergei Anufrieva, e cila u kthye në një shqiptare të vërtetë ndrroi jetë, pikërisht me 24 nëntor 2020. Ajo lëngoi nga një sëmundje e pashërueshme, por duke iu bashkëngjitur fatkeqësive të pafund në këtë covid të tejzgjatur, gjëndja shpirtërore e jona mori ngarkesë të madhe.

Për një nxënës, pavarësisht nga mosha, humbja e mësueses është dhimbje, dhimbje shumë e madhe. Kujtimet vijnë e përplasen, duke ngjasuar me fuqinë e dallgëve të furishme në breg dhe shpalosen në shiritin filmik të memories, duke ta sjellë të gjallë dhe në këtë rast ajo quhet Rufima Sergei Anufrieva.

Rufima lindjen e pati në Moskë me 17 qershor 1935 dhe frymëmarrja iu sos me 24 nëntor 2020. Gjithsejt në inventarin e jetës së saj, u rregjistruan plot 85 vite. Por djaloshi simpatik shqiptar, që ia “këputi kokën” vajzës ruse ishte, njeriu i mirë Naim Misiri, i cili lindjen e kishte në 1927-tën dhe largimin nga bota e gjallë në 1997-tën, duke jetuar 70 vite.

Në grupin e studentëve shqiptarë, që shkuan të studionin në Bashkimin Sovjetik, ishte edhe Naim Misiri. Aftësitë e tij të rralla në mendim dhe komunikim, e bënë që të ulej të studionte në degën e filozofisë. Por si çdo i ri edhe Naim Misiri, hodhi vështrimin e simpatisë dhe dashurisë së tij, ndaj vajzës moskovite me bukuri mahnitëse Rufima Sergei Anufrieva.

Ishte zysha ime e ardhshme e rusishtes, që e donim me shpirt dhe na donte edhe ajo po njëlloj.

Dashuria shqiptare – sovjeto e Moskës ndërmjet Rufimës dhe Naimit në mesin e viteve 50-të, avancoi dukshëm. Në vitin 1959 doli në jetë vajza, që i vunë emrin Hatixhe, për të kujtuar gjyshen e Naimit, por që tërë kohën u thirr shkurt “Xheku”. Ishte kjo Xheku, që lidhi jetën me aktorin e njohur të skenës Fadil Kujofsa, i larguar nga jeta prej disa vitesh.

Familja Misiri u krijua që në Moskë, për t’u shtuar në numur me lindjen e Tatjanës ( emri i gjyshes nga nëna) në vitin 1966 dhe të djalit Etritit në 1972-shin. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në marrdhëniet shqiptare –sovjetike, duke ndërprerë aktivitetin diplomatik në vitin 1961. E ndjeni lexuesit e mi të nderuar, se çfarë situate shpirtërore ka kaluar Naimi ynë i paharruar dhe gruaja e fortë ruse Rufima Sergei Anufrieva. Ata ishin lidhur për jetë së bashku dhe s’kishte forcë që ti ndante.

Naimi s’kishte ndërmënd ta kalonte në aventurë lidhjen e tij dhe as të luante më dashurinë e parë dhe të vetme, sikur të ishte një karuselë. Logjika e ftohtë, por edhe një burrni e pashoqe i atij brezi idealistesh, as nuk e tutën dhe as nuk e trëmbën Naim Misirin. Pasojat nuk mund ta lëkundnin, për ta tretur si kripa në ujë familjen e tij të shtrenjtë.

Rufima e mrekullueshme, e bukura dhe shpirtmadhja e jonë, kishte humbur prindërit në luftën e dytë botërore dhe rrezikonte të humbiste edhe familjen dhe djaloshin simpatik shqiptar me emrin simbol të kurajos Naim Misiri. Prandaj nuk mund ta ndaja kurrsesi figurën e ndritur të zyshes së rusishtes, të intelektuales ruse dhe shqiptare Rufima Sergei Anufrieva, nga ajo e bashkëshortit të saj, të djalit trim dhe të vendosur, të aftë dhe të mënçur me origjinë nga shqiptarët e Misirit, andej edhe nga ishte edhe shkrimtari i njohur i rilindjes Andon Zako Çajupi, Naim Misiri.

Më kujtohet portreti i kuadrit dhe intelektualit Naim Misiri kur ishte në Durrës. Im atë Xhafer Qesja, e kishte shok dhe mik bese. Qanin hallet së bashku. Jo se tani nuk ka burra me peshë, por se si më duket, se ajo kohë që po shkruaj kishte vërtet burra, burra që në vënd të gjakut kishin karakter, burrrni dhe idealizëm.

Babai i Naimit punonte farmacist dhe ishte vazhdim i firmës së njohur Farmacia e vllezërve Misiri. Naimi u nda nga jeta në moshën 70 vjeçare, në sfondin e një trishtimi dhe stresi të paimagjinuar. Punoi në fund të jetës si drejtor i llixhave të Elbasanit, duke lënë amanetin e një vazhdimësie të bazuar në traditën qytetare, të prejardhjes dhe të bindjeve në shërbim të shoqërisë dhe vëndit.

Dhe kjo Rufima Sergei Anufrieva, që na pikëlloi me ndarjen nga jeta, plot 23 vite nga i shtrënjti i saj, shqiptari me besë Naim Misiri dhe që mbeti deri në moshën 85 vjeçare vazhduese e bindur i bindjeve të tij.

Tatjana Misiri është vajza e dytë e familjes Misiri. Ajo është e martuar me një djalë tërheqës dhe një familje e njohur në Elbasan. Quhet Albert Mani. Me këtë njeri punëtor të zotin në profesionine tij, ka tre fëmijë Ilva, Kliti dhe Elio. Tatjana, emri me bazë ruse dhe Etriti janë mësues dhe ndjekin rrugën e nënës së tyre Rufima. Tatjana dhe Alberti më ndihmuan në disa të dhëna dhe me foto të rralla dhe tërheqëse, ku kemi rastin të çmallemi me çiftin ideal dhe të paharruar Naim dhe Rufima Misiri.

Rufa dha shpirt në atë shtëpi ku nxorri në jetë tre fëmijët e saj dhe banoi tërë kohën me djalin Etritin, por u tregua deri në fund një nënë shumë e dashur dhe e dhëmbshur për fëmijët e saj. Kujtimet më të mira na vijnë nga rinia e jonë e hershme, me zyshen tonë të rusishtes Rufima Sergei Anufrieva, e cila u detyrua të studiojë për të dytën herë, si mësuese e gjuhës ruse por në versionin shqiptar. Kemi qenë me fat brezi ynë, që rusisht mësuam nga kjo Rufimë e jashtëzakonshme, që iu përshtat perfekt jetës në Shqipëri dhe kryesisht në Durrës dhe Elbasan dhe u bë një shqiptare, më shumë se shqiptare. Komunikimi saj i ëmbël.

E folura nga gjuha e nënës, na linte me gojë hapur. Ligjërim i i saj, na sillte në klasë atmosferën ëndërruese të gjuhës tërheqëse ruse, duke na dehur me kulturën historike dhe të jashtëzakonshme të popullir rus.

Është kjo arsyeja pse u shpreh gjithë ajo dashuri, gjithë ai mall, gjithë ajo bukuri njerëzore dhe shpirtërore, gjithë ajo dhimbje veçanërisht nga nxënësit dhe miqtë e saj në Durrës dhe Elbasan, kur u nda nga jeta.

Me 24 nëntor 2020, në Elbasan u nda nga ne, një grua fisnike nga Bashkimi i hershëm Sovjetik. Ishte ruse. Lidhi jetën me djalin shqiptar Naim Misiri në vitin 1956 dhe e sosi frymën e fundit, me 24 nëntor 2020, në qytetin e ëmbël dhe shumë të bukur të Elbasanit.

U largua nga jeta zysha jonë e rusishtes. U largua nga jeta zysha jonë e kulturës dhe sjelljes njërëzore. U largua nga jeta një grua besnike dhe me ideale, ndaj shqiptarit të paepur Naim Misiri. Të dy tashmë lidhur pazgjidhmërisht në parajsën e përjetshme. Një çift që na sjell shumë mesazhe. Na bën të mos harrojmë shumë mësime. Që të gjitha të vlefshme.

Të duam zysha e jonë e bukur! Të duam edhe më shumë tani, që të dhamë lamtumirën e fundit! Zor se kujtesa, do të na shqitet nga ju Naim dhe Rufima Misiri.

Dhe i lehtë i tokës tënde, i tokës tonë Rufima Sergei Anufrieva!