*Rrëfimi i tutorit: një politikan i majtë në rrjetin e prostitucionit dhe vjedhjes së banesave
*E dashura ime u martua me klientin e saj të rregullt, një pensionist italian
Nga Taulant Kopliku
Na pret në një lokal në bregdetin e Shëngjinit. Në fillim prezantohet ftohtë dhe shfaqet dyshues. Sokoli (një emër ky i sajuar), është një 40-vjeçar që ka bërë për shumë vite të paligjshmin në Itali, ndërsa prej disa vitesh ka vendosur të tërhiqet për të bërë një jetë të qetë e pa probleme. Në realitet ai që na shfaqet përpara, jep idenë e një personi disa vite më të ri, jo shumë i gjatë, i veshur firmato, por pa shije ndërkohë që na shikon nga lart poshtë disa herë duke shfaqur haptazi një lloj mosbesimi të momentit.
Për më shumë se një dekadë Sokoli ka shfrytëzuar një numër të madh vajzash në trotuaret e Italisë, por këtë ai e quan thjesht një punë, bashkëpunim me interes dypalësh. Pranon të intervistohet në një tjetër ambient aty pranë duke vënë si kusht bazë fshehjen e identitetit, e kuptueshme për një person që ka krijuar një familje dhe për më tepër ende mund të ketë problem me ligjin. Në interviste flet gjithë kohën për djem dhe për vajza që në fjalorin e tij përkthehen në tutor dhe prostituta. Në një moment madje ndërpret intervistën duke na kërcënuar të mos vazhdojmë më tej nëse do vazhdojnë të përdoren këto dy fjalë.
Sokol, ti, je një tutor i penduar?
Nuk jam as tutor e as i penduar. Jam një person që asokohe kisha 25 vite moshë dhe si shumë të rinj doja një jetë më të mirë. Shfrytëzova momentin dhe nisa të bëj një punë jo aq të bukur por gjithmonë me dëshirën e vajzave dhe me bashkëpunimin e tyre për të dalë në rrugë. Asnjëherë me dhunë apo me mashtrime.
Si nisi kjo histori?
Kisha një të dashur këtu në Shqipëri e duke parë problemet ekonomike si të miat edhe të saj, vendosëm të iknim në Itali. Flitet për 15 vite më parë dhe normalisht u nisëm si klandestinë me gomone nga Vlora. Mbërritëm në Bari ku më kanë pritur dy miq të mi të cilët prej disa vitesh merreshin me këtë punë.
Prostitucion?
Le të themi se kishin vajza në punë në zonën e Padovas. Pikërisht në këtë qytet mbërritëm një ditë më pas. Qëndruam tek ata vetëm tre ditë dhe më pas u stabilizuam në një shtëpi krejt për ne të dy. Ishte një shtëpi e vogël por komode në “Via Annelli” të Padovas. Një zonë problematike në të cilën ndodhte çdo gjë, drogë, grabitje, përdhunime, përplasje mes grupesh. Përveç shqiptarëve, aty kishte marokenë, tunizianë, egjiptianë të cilët merreshin me “pisllëqe” nga më të ndryshmet. Gjatë atyre tre ditëve të para, vajzat e tjera e mësuan të dashurën time sesi duhej të punonte dhe të sillej me klientët në rrugë. Kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme pasi klienti duhet të “dashurohet” pas vajzës për tu kthyer serish tek ajo ditën tjetër e prapë ditën tjetër.
E dashura jote e dinte që në nisje që po shkonte në Itali për të bërë prostitutën?
Po. Patjetër. Madje ka qenë ajo që më shprehej se nuk kishte të keqe që për disa vite të bënte atë punë derisa të kishte një shtëpi të bukur, makinë, veshje të shtrenjta. Kështu pas rreth një jave ajo nisi të punonte bashkë me vajzat e tjera. Ato dilnin në rrugë pak përpara se të errësohej dhe ktheheshin në shtëpi në të gdhirë të ditës tjetër. Për të zënë një vend të mirë në rrugë menduan miqtë e mi dhe nuk pata nevojë të konfliktohem me asnjë person tjetër, pasi gjithmonë ndodhnin përplasje kur vinte një person i panjohur për të sistemuar vajzën e tij aty.
Ku ishte ky vend kaq i lakmuar? Në cilën zonë?
Ishte një rrugë e gjatë në zonën e quajtur “Limenella”, një rrugë afër daljes së autostradës. Në gjithë gjatësinë e saj, kjo rrugë ishte plot me vajza.
Si ishte dita e pare? Të kujtohet?
Ishte fundjavë dhe në këto ditë (e premte dhe e shtunë) punohej disi më vonë, deri në 6.00 të mëngjesit. Kur kjo (e dashura) mbaroi punën, më hodhi në prehër 750 mijë lireta (diçka më shumë se 300 euro). Si herë e parë ishin vërtetë shumë.
Sa klientë për atë shumë?
Më shumë se 10 klientë. Duhet të sqarojmë se mënyrat dhe çmimet ishin të ndryshme. Po ashtu edhe lodhja e vajzës shumë herë jo aq e madhe. P.sh. Për njëherë në shtëpi çmimi shkonte 100 mijë lireta. Për njëherë në makinë 50 mijë lireta. Për orale 30-40 mijë. Megjithatë nuk është se u befasova aq shumë pasi djemtë aty më kishin treguar më parë sesa mund të bëhet në ditë.
Më pas si shkoi?
Për rreth gjashte muaj puna na shkoi shumë mirë. Pa probleme me vendin apo me klientët. I vetmi problem ishin “vizitat” e shpeshta të policisë. Pothuajse çdo të enjte në “Limenella”, policia merrte vajzat nga rruga dhe i dërgonte ne kazermë. I mbanin atje gjithë ditën por për ne ishte një ditë pa punë. Mbaj mend një police që për ne ishte kthyer në problem të madh. Quhej Antonella dhe ishte e tmerrshme. Shkonte aty dhe i merrte vajzat me forcë. Kur ajo ishte në xhiro përgjatë rrugës, asnjë vajzë nuk dilte. Te gjitha rrinin në shtëpi atë ditë.
Çfarë ndodhte me vajzat në polici? Kishin probleme?
Asnjë gjë serioze. I mbanin një ditë, shenja gishtash, disa pyetje dhe i linin të lira. Ndonjëherë radhë ndodhte që i kthenin në vendet nga kishin ardhur; Shqipëri, Moldavi, Rumani etj. Por pas disa ditësh, vajzat futeshin sërish në Itali dhe gjendeshin si përherë në vendin e punës. Ne kishim lidhjet e duhura në Vlorë dhe gjithçka ishte e lehtë. Vajza shkonte në Vlorë tek personi i kontaktit tonë, skafisti na e sillte në Bari, lekët skafistit dhe gjithçka OK. Një zinxhir shumë mirë i organizuar.
Pak më parë the se nuk kishit probleme për territoret, por në realitet të gjithë e dinë “luftën” që bëhet për territoret në zonat e prostitucionit…
Në fillim nuk është se kishte të tilla probleme. Problemet e shumta nisën me hyrjen në masë të rumunëve në Itali. Ata sillnin shumë vajza. Me qindra. Dhe normalisht donin t’i sistemonin sa më mirë e në vendet më të frekuentuara.
Si gjithmonë të këqijtë janë të tjerët e jo shqiptarët…këtë radhë rumunët.
Nuk e thashë këtë. Shumë nga ata janë djem të mirë e të besës. Madje janë shumë guximtarë. Unë kam bashkëpunuar me ta dhe i vlerësoj shumë më tepër se disa shqiptarë. Nuk janë të gjithë hajdutë e keqbërës si i nxjerrin gazetat. Unë thashë se kjo dyndje femrash që sollën rumunët, shkaktoi përplasje të pashmangshme për territore. Gjithsesi për t’u kthyer tek pyetja. Zona që kontrollonim së bashku me dy shokë, ishte rreth 1,5 km. Asnjë vajzë tjetër nuk do të mund të punonte aty përveç vajzave tona. Kush guxonte, ishin vajzat që ia tregonin vendin dhe nëse do ndërhynte ndonjë mashkull atëherë do e zgjidhnim ne. Kjo ka funksionuar për 13 vite që unë isha aty dhe siç i themi në anët tona: ka dasht zoti që nuk na kanë provoku se do ndodhte me e keqja. Gjithsesi nuk të gënjej kur them që ndonjë armë në kokë, disa grushte e shkelma, ndonjëri edhe i ka marrë prej nesh.
Kur thua se mund të ndodhte më e keqja, nënkupton se dikush mund të vritej? Gjëra që në fakt kanë ndodhur.
Nuk do kishte asnjë garanci si për ta si për ne. Gjithsesi ju siguroj se te ne nuk ka ndodhur asnjë gjë e tillë. Mund të verifikoni çfarë ka ndodhur në zonë gjatë atyre viteve për të vërtetuar fjalët e mia. Edhe kanë ndodhur, e vërtetë por duhet të pranojmë se ka dhe shumë histori të sajuara bukur nga policia apo edhe nga ato shoqatat e Caritasit qe angazhoheshin gjoja në shpëtimin e vajzave të rrugës. Ky që bënim ne ishte një biznes fitimprurës dhe normalisht që do kishte edhe ngjarje nga pas. Por siç ta thashë shumë gjëra janë të shpikura. Maniakë dhe budallenj që mbysin femra ka kudo, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ne që bënim këtë punë ishim të dhunshëm. Duhet të dini diçka. Ishte kohë që një permesso di soggiorno vlente shumë atëherë dhe vajzat çfarë nuk bënin për të pasur një të tillë. Gjatë marrjes në pyetje policët dhe këta shoqatat i premtonin dokumentet vetëm që vajzat të dëshmonin kundër të dashurit të tyre. Kur vajzat nisnin te shpreheshin, dilte gjithçka në shesh. Kishin ndodhur ne realitet apo jo. Flitej për dhunë, për barbari nga më të ndryshmet, për përdhunime në grup. Me kujtohet një rast konkret me një murator nga një fshat afër Durrësit. Ai kishte shoqëri me njërin nga djemtë dhe herë pas here shkonte në shtëpinë e këtij djalit e flinte atje. Në një rast i arrestuan në shtëpi të gjithë sa ishin dhe vajza që kishte bërë denoncimin, dëshmoi edhe kundër tij. Policia deklaroi se kishte asgjësuar një grup shumë të rrezikshëm, ndërsa ky i shkreti bëri gjashtë muaj burg derisa doli i pafajshëm.
Gjithsesi faktin që vajza të gënjyera që shfrytëzohen nga tutorët si prostituta nuk mund ta mohojë askush.
E thashë më sipër. Njerëz të dhunshëm, maniakë dhe vrasës ka kudo, edhe aty ku s’e mendon. Kjo nuk mund të fusë në një kallëp të gjithë ata që kanë bërë këtë punë. Do duhej ta kishit bërë këtë punë për të kuptuar sesi është realiteti. Unë kam njohur persona që kanë rrahur barbarisht vajzat, që kanë marrë gjoja për fejesë edhe komshijet, kanë nxjerrë në rrugë nënën e fëmijës së tyre apo edhe më keq kushërirën e parë. Këta nuk mundem t’i fus në kategorinë e njerëzve. Dhe diçka tjetër. Nëse do që të vazhdojmë normalisht këtë intervistë, nuk dua të dëgjoj as tutor e as prostitutë sepse më ofendon shumë. Ky është kusht nga ana ime.
Po thua se ke njohur të tillë persona. Sot pas shumë vitesh a ruan kontakte me ndonjërin prej tyre?
Nuk dua të bëj moralistin por këta tipa i kemi mbajtur larg dhe i kemi përçmuar. Këta edhe hajdutët ordinerë që bënin njëherësh edhe punën tonë me vajzat, por edhe vidhnin apo grabisnin nëpër apartamente e vila.
Unë shkoja shpesh në Milano. Kisha miq të mi atje dhe i frekuentoja. Në një tavolinë kam njohur një tip të tillë që bashkë me vëllezër e kushërinj kishin disa vajza në punë. Aty më treguan se ky grup ishin të specializuar për vjedhje vilash në periferitë e Milanos. Mbaj mend që kemi drekuar me ta në zonën e Pioltellos afër Milanos. Nuk jam i sigurt nëse jetonin aty apo kishin shkuar atë ditë. Para pak vitesh kam fërkuar sytë disa herë kur këtë tipin e pashë në zgjedhje përkrah Edi Ramës.
Dhe ky sot është në parlament?
Politikan. Kaq mjafton. Është apo jo në parlament nuk ka rëndësi se pastaj më mirë ju them emrin. Di të them të saktë se kam qenë në tavolinë me të kështu siç jemi sot bashkë. Hajdut ordiner banesash që kacavirrej nëpër tuba e nëpër ballkone.
E takon sot?
E kam parë, por s’e kam takuar. Unë s’e kisha shok dhe është humbje kohe të merremi me të tillë persona.
Si shkuan gjërat më pas? Punoje gjithmonë me të njëjtën vajzë?
Pas gjashtë muajsh që gjërat po ecnin mirë, vendosëm të blejmë disa vajza të tjera. Në atë periudhë në Shqipëri lëvizte mirë gjithçka. Vinin vajza moldave apo rumune që donin me çdo kusht të hynin në Itali. Ishte një zonë në liqenin e Shkodrës, diku në Malësi të Madhe që ata vinin me barka si kope. Kam shkuar vetë aty dhe i kam parë me sytë e mi sesi shkarkoheshin dhe i ndanin në breg grupe-grupe në pritje për t’i shitur. Të gjitha nga 17-18 vjeçe deri në 22-23 maksimumi. Ishte njëlloj si në tregun e bagëtive në Milot. Të veshura keq, të papastra, të lëna pa ngrënë. Skandal me një fjalë. Aty i bleva dy vajza për 3 milionë lireta. Dmth 1 milionë e gjysmë secilën. Nga aty i dërgova në Durrës ku i mbajta për dy javë në shtëpinë e një miku. Normalisht përpara se të niseshim drejt Italisë doja të fitoja besimin e tyre që të mos kisha probleme me policinë në rast se ndaloheshim. Aty hasa probleme me njërën prej tyre pasi nuk donte një asnjë mënyrë të bënte atë punë për të cilën do niseshim. Më kërkoi ta ndihmoja të hynte në një punë si kameriere apo shitëse. E refuzova pasi nuk doja të tilla probleme. Kështu e ktheva mbrapa në atë vend ku e kisha blerë dhe mora lekët mbrapsht.
Më sqaro pak diçka. Si gjendej papritur një vajzë e re moldave apo rumune në Shqipëri? Ishte një mekanizëm trafiku apo vinin vetë deri aty?
Ishte një mekanizëm patjetër. Moldavë, rumunë, serbë, malazezë e në fund shqiptarë. Të gjithë të përfshirë. Ta zëmë se një vajzë nga një fshat i varfër në Moldavi dashurohej me një djalë atje. Ai nuk ishte i duhuri, por një trafikant i cili i premtonte të shkonin bashkë në Europë. Në njëfarë rruge, ai e shiste te serbi, ky te malazezi e ky i fundit te shqiptari. Imagjinoni vetë se cili ka qenë çmimi fillestar i asaj vajze. Por duhet të themi se kishte shumë prej tyre që vinin të vetëdijshme për çfarë do bënin.
Po policia?
Për çfarë policie flet ti? I blije me një akullore policët atëherë. Ato ditë që isha në zonën e liqenit të Shkodrës, miqtë e mi më tregonin sesi shefat e policisë së kufirit dërgonin njerëz për të zgjedhur vajzat më të bukura që vinin aty. I mbanin për një javë apo dhjetë ditë e më pas ia kthenin sërish trafikantëve.
Pak më parë the se ke kthyer një vajzë se nuk pranonte të punonte. Ti vetë nuk ke përdorur kurrë forcën për të bindur një vajzë të punojë në rrugë?
Di dhe madje kam asistuar shumë histori keqtrajtimesh. Kam parë dhe ndonjë që bënte të fortin me vajzën e cila i sillte çdo natë lekë, por unë personalisht kam përdorur një strategji të respektimin dhe lënies së kënaqura të vajzave. Duhet të dini diçka, se kjo sjellje e imja me ta më ka ndihmuar shumë dhe më ka shpëtuar lëkurën nga problemet me drejtësinë në Itali.
Ma shpjego këtë…
Më kanë arrestuar disa herë. Më merrnin në pyetje, më ndiqnin, më bënin presione. Më ndalonin kur isha në makinë me vajzat duke shkuar në shtëpi ose duke dalë për qejfin tonë. Unë hiqesha si klient dhe normal vajzat e mbanin këtë linjë të deklarimeve. Disa herë kanë ardhur në shtëpi për kontroll. Aty deklaroja se jam punëtor në ndërtim dhe ndaja qiranë e shtëpisë me vajzat. I thosha policisë se nuk më interesonte çfarë bëjnë ato. Thjesht paguaj pjesën time të qerasë dhe nuk kam më interes. Më pas policët merreshin më gjatë me vajzat duke i provokuar në çdo mënyrë, por ato ishin gjithmonë të stërvitura për të dhënë përgjigjet e duhura. Më mbulonin si duhet pikërisht se raporti mes nesh ishte i sinqertë dhe jo i bazuar te dhuna. Për këtë thashë se më ka ndihmuar fakti që bëja djalin e mirë me to.
Në realitet këto deklarime nuk ngjajnë shumë bindëse. Imagjino specialistëve në policisë si i ngjajnë….
Mos harrojmë dhe një detaj. Në Itali një avokat i mirë të shpëton jetën. Dhe unë në fakt kisha një nga më të mirët në Padova. Ai gjente përherë një zgjidhje dhe unë paguaja pa u dridhur.
Kthehemi pak te historia që ndërpremë. Nga dy vajza moldave të mbeti vetëm njëra e cila pranoi kushtet tuaja.
E mora me vete në Itali dhe pas dy ditësh pushim doli në rrugë pranë të dashurës time shqiptare. Me moldaven bëmë një kontratë. Ajo do të paguhej 2 milionë lireta në muaj. Për të qenë i sinqertë këtë shumë ajo e nxirrte për tre ditë.
Dhe 27 ditë të tjera i merrje ti?
Jo, jo. Prit pak. Punohej pesë ditë në javë e jo shtatë. Shpenzimet ishin të shumta. Fiksimi i femrave janë veshjet pafund dhe unë nuk mund t’i pengoja në këtë fiksim. Ato blinin veshje çdo javë. Një tjetër dëshirë e tyre ishin diskotekat dhe ne shkonim dy herë në javë, me grafik. Lekët harxhoheshin lumë aty. Dreka hahej thuajse rregullisht në restorante. Dhuratat që vajzat dërgonin për familjarët i paguaja unë. Avokati siç thashë merrte pjesën e tij. Mblidhi pak dhe shiko sesa shpenzime janë.
Nga ky përshkrim i shkurtër duket si një jetë luksi…
Jetë normale por vajzat duheshin mbajtur mirë. Nëse njëra prej tyre nuk gjendej mirë apo ndjehej e poshtëruar në krahasim me të tjerat, ndodhte që të ikte në duar të djemve të tjerë, në një zonë apo qytet tjetër. Ose mund të rrezikoje më të keqen, denoncimin. Kapriçove të tyre s’i duhej asnjëherë. Nga kjo sjellje dhe nga ky stil jetese, unë mora namin e djalit me të cilin bëhet jetë. Ato ndiheshin mirë dhe të mbrojtura me mua. Vajza nga Moldavia më kërkoi një ditë të sillte edhe dy shoqe të saj nga Milano.
Pra, u bëre pronar i katër vajzave…
Më shumë partner në biznes (qesh).
Por ti në fakt fitoje shumë më tepër sesa ato. Me një llogari të momentit nëse nuk gaboj, ti arrije deri në 40 apo 45 milionë lireta në muaj, apo rreth 20 mijë euro në muaj në vitet e mëvonshme.
Më shumë fitohej. Kam kapur edhe 40 mijë euro në një muaj. Vajzat bënin një punë të jashtëzakonshme dhe kishin krijuar një klientelë të admirueshme. Klientë prisnin derisa ishte e lirë vajza që ata pëlqenin edhe pse në rrugë kishte me dhjetëra të tjera në atë moment. Kështu funksiononte. Në njëfarë mënyre ata dashuroheshin me vajzat.
Po ti vetë çfarë bëje? Si ishte dita e punës për ty? (Nëse mund ta quajmë kështu).
Për gjatë gjithë natës ne lëviznim në territorin ku ishin vendosur vajzat tona pasi normalisht shumë herë kishin nevojë për mbrojtje. Mund të qëllonte një i dehur, një maniak, një i sëmurë nga trutë e ne na duhej të ndërhynim menjëherë. Për këtë ishim të organizuar njëlloj si patrullat e policisë, nga dy apo tre në një makinë. Nëse duhej të rrihnim ndonjë klient që nuk ishte korrekt, kështu ishte më e lehtë. Dhe në fakt kjo ndodhte jo rrallë.
Lëviznit të armatosur?
Në ditë normale asnjëherë pasi armët mund të sillnin probleme nga më të ndryshmet. Kur ndodhte diçka e rëndë, përplasje me ndonjë person që nuk donte të lëshonte rrugë, atëherë jo vetëm merrnim armë me vete por nga dy e tre, bëheshim 10 apo 15 persona.
A mund të ndodhte që pas një klienti që përdorte dhunë me vajzat mund të fshihej një i infiltruar i policisë?
Edhe ka ndodhur. Një natë njëra nga vajzat më telefonoi sepse një tip po e bezdiste gjithë kohës. Unë u afrova disi por nuk shkova direkt atje. I kalova krejt afër dhe vura re që ai bënte si i dehur dhe gjoja donte ta merrte me forcë vajzën nga vendi ku ishte. Unë vazhdova të ec drejt pa hedhur aspak sytë dhe pasi u largova i telefonova asaj duke i thënë të largohet menjëherë nga aty sepse kisha kuptuar se ai ishte një civil i karabinierisë. Rreth 15 minuta pasi ajo u largua, erdhi një makinë me dy persona dhe morën kolegun e tyre që nuk kishte më atë pamjen e të dehurit që kishte në fillim.
Me vajzat ishte një raport i thjeshtë pune apo diçka më shumë?
Natyrisht që më shumë sesa punë. Është e rëndësishme të krijohet një raport si një çift normal. Me të dashurën time nga Shqipëria marrëdhënia ishte e konsoliduar prej kohësh, ndërsa me të tjerat e kam krijuar me kalimin e kohës. Një problem më vete edhe ky pasi nuk duhej të lindnin xhelozi mes tyre. Në një moment kur e dashura ime nisi të acarohej dhe të grindej në shtëpi me të tjerat, mu desh të marr një tjetër apartament për t’i ndarë. Kështu detyrohesha të shkoja sa në njërën shtëpi në tjetrën.
Ndodhte ndonjëherë që vajzat të shkonin te një tjetër person që merrej me këtë punë ose në një rast tjetër të dashuroheshin me ndonjë klient dhe të thoshin mjaft më me këtë zanat?
I ka ndodhur shumë personave që t’i ikte femra. Siç e thashë dhe më parë, nëse nuk e trajton mirë, vajza largohet. Kërkon ngrohtësi diku tjetër. Shumë herë në rrugën ku punonim vinin vajza shumë të bukura. Sidomos ruset ishin sikur vinin nga ndonjë konkurs bukurie. Mund të bënin shumë mirë “escort” me 1 mijë euro nata e jo të rrinin aty në rrugë. Dhe në realitet nuk kalonin më shumë sesa dy jave maksimumi dhe ata zhdukeshin prej aty. Vajzat që flasin me njëra-tjetrën, merrnin vesh nga ruset e tjera që ajo tipja është fejuar me një karabinier. Kjo ka ndodhur disa herë në atë zonë që karabinierët apo policët merrnin më të bukurat që dilnin në rrugë.
Një fund i lumtur të paktën…
Po, po. Fund i lumtur por e hante gjithmonë personi që e kishte nxjerrë në rrugë. Ose shkonte në burg me një denoncim të kopsitur që nuk kishte avokat që e kapte në dorë ose detyrohej të linte me urgjencë Italinë. Me karabinierë nuk bëhej shaka asnjëherë.
Kur ke dalë përfundimisht jashtë kësaj xhiroje?
Më shumë se dy vite. Fiks në gusht të 2013-s.
Pse e bëre këtë hap?
Ka shumë përse. Problemet me policinë u bënë serioze dhe unë rrezikoja shumë të përfundoja në burg për vite e vite. Deri atëherë kisha bërë maksimumi 1 muaj dhe ia kisha hedhur. Puna nuk kishte më fitimin e viteve më parë. Vajzat duan të fitojnë gjithmonë e më shumë dhe torta po bëhet gjithnjë e më e vogël në këtë biznes. Tashmë gjithnjë e më shumë po investohet në Angli, ku shqiptarët janë kthyer në grupin kryesor e më të madh në këtë punë. Prej shumë vitesh ata kanë në dorë këtë biznes me vajza nga lindja. Ukrainase, ruse, moldave punojnë me djemtë shqiptarë. Janë djem me kurajë nga Kukësi, Mati apo Malësia e Madhe që po dominojnë atje. Italia është kthyer në një vend ku nuk mund të mendosh për lek të madh si dikur. Por shkaku më kryesor ishte se kishte mbërritur momenti që të mendoja më seriozisht për jetën dhe të ardhmen time. Doja të nisja një jetë në legalitet të plotë dhe jo me frikën e përhershme se dikush vjen në mesnatë dhe më vendos prangat. Për të gjitha këto vendosa të kthehem përfundimisht në Shqipëri.
Për të gjithë këto 13 vite punove me të njëjtat vajza?
Vetëm e dashura ime shqiptare ka qëndruar me mua deri në vitin 2012. Ajo kishte një klient fiks prej shumë vitesh. Një i moshuar italian, i cili kishte rënë në dashuri me të. Një ditë ajo më kërkoi leje pasi ai i kishte propozuar për martesë dhe ajo vetë donte të niste një jetë të re. Ju e kuptoni se ne nuk mund të përfundonim bashkë edhe pse unë e kam dashur më shumë se çdo njeri në botë. I dhashë lejë dhe pas pak ditësh ajo shkoi të jetonte me të. Kanë bërë dhe një ceremoni të vogël martese dhe unë isha i ftuar i nderit i çiftit. Sot ajo ka një jetë të qetë në një provincë afër Padovas. Ndërsa vajzat e tjera kane qarkulluar ndër vite sepse ktheheshin në vendet e tyre për disa muaj ose për të investuar lekët e bëra ose për ndonjë arsye tjetër. Ikte një, vinte një tjetër, kthehej ajo e mëparshmja. Njëfarë xhiroje. Kështu funksiononte.
Çfarë bën sot në Shqipëri?
Për të qenë i sinqertë kam menduar për këtë ditë dhe prej vitesh kam hedhur lekë për pasuri të patundshme. Kam disa hyrje apartamentesh në bregdet, kam një sipërfaqe toke të konsiderueshme me qëllim për të nisur një ndërtim dhe aktualisht kam plan të hap një restorant të mirë peshku. Jam tashmë 40 vjeç, i martuar dhe kam një vajzë akoma pa mbushur vitin.
A ndihesh në faj për punën që ke bërë? Thua ndonjëherë që ke bërë gabim?
Jo. Asnjëherë. Pranoj që kam bërë diçka ilegale dhe të dënueshme me ligj, por asnjëherë nuk kam bërë maskarain dhe nuk kam detyruar asnjëherë një femër të bëjë atë punë.
Po ti i ke shfrytëzuar këto vajza. Ke bërë prona kur ato shisnin trupin…
Unë i kam mbrojtur ato, i kam ndihmuar të fitojnë lekë dhe normalisht kam pasur edhe unë çmimin tim për punën që bëja. Duhet të kuptoni se shumë herë unë kam rrezikuar kokën për t’i mbrojtur ato vajza. Sot mund të ishte harruar se kam ekzistuar si shumë të tjerë.
Mesa shihet je mjaft i pasur. Çfarë i ke thënë bashkëshortes për origjinën e këtyre lekëve?
Çfarë duhet t’i them? Ajo e kupton se gjithë këto lekë nuk janë fituar me punë krahu. Justifikimi im ndaj saj ka qenë droga, edhe pse unë s’e kam prekur asnjëherë me dorë.
Çfarë do ti thoshe nesër vajzës tënde nëse dikush i tregon për punën që ke bërë?
Nëse një politikan bën orgji me vajza minorene askush se përçmon dhe thonë “Hë se gënjen vajza”. Në rastin tonë të gjithë i kemi kundër. Çfarë mund t’i ketë thënë Berluskoni vajzës së tij kur e mori vesh gjithë bota se bënte orgji me 15-vjeçare. E ke idenë çfarë mund ti ketë thënë? Unë të paktën jam i qetë se nuk kam prekur ndonjëherë me dorë një minorene. Kush është më i keqi në këtë rast? Gjithsesi një përgjigje për vajzën time do ta kem deri atëherë.
Marrë nga Pamfleti.com
*Taulant Kopliku është autor në emisionin investigativ “Le Iene” në Italia 1. Së bashku me Iena Luigi Pelazza kanë realizuar disa tema të aktualitetit si terrorizmi, trafiqet, prostitucioni, korrupsioni etj.)