Me dhjetëra prindër nga lagje të ndryshme të qytetit bregdetar janë drejtuar këto ditë pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale për të paraqitur ankesat e tyre përsa i përket shkollës, ku preferojnë të rregjistrojnë fëmijën e tyre.
Janë kryesisht prindër që i dërgojnë për herë të parë fëmjët në shkollë, prindër që kërkojnë të rregjistrojnë fëmijën që përfundon ciklin fillor dhe hidhet në klasë të gjashtë, apo prindër që duan të rregjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat e mesme të qytetit.
“Kërkoj të rregjistroj vajzën tek “Naim Frashëri”, por më japin si alternativë ta dërgojmë tek “Gjergj Kastrioti”, ose në shkollën e re në zonën e ish-Kënetës. Tek “Naim Frashëri” është edhe vajza tjetër. Në ish-Kënetë, vajzën nuk e dërgoj! Unë banoj në lagjen nr. 8, tek spitali, ndërsa shkollën nëntëvjeçare vajza e ka bërë tek “14 Nëntori”. Shkollën vajza duhet ta bëjë tek Naimi ose Leonik Tomeu, në të kundërt nuk e çojmë hiç atje. Ne të ardhur jemi në Durrës, po duket se duan të na përzënë fare nga Durrësi!”,- shprehet një grua për “Dyrrah”.
Ndërkohë edhe një banor i lagjes nr. 7 refuzon ta dërgojë vajzën tek shkolla e re që do të hapet në zonën e ish-Kënetës. “Vajza ka mbaruar klasën e nëntë tek “Nënë Tereza”, ndërsa na thanë që shkollën e mesme duhet ta nisë në zonën e ish Kënetës. Kurrë nuk do ta lejoj vajzën të shkojë në atë zonë në gjimnaz, sepse të mesmen duhet ta bëjë tek Leonik Tomeo. Për këtë kam ardhur tek drejtori, t’i japë zgjidhje problemit. Këtu kemi katër orë që presim. Shikoni edhe vetë sa njerëz me ankesa ka, po kush do të na i zgjidhë”,- thotë ai.