Akuza të forta për presidentin e PSG-së. Francezja Liberation ka publikluar një investigim në lidhje me Nasser Al-Khelaifin, i cili akuzohet se është përfshirë në një komplot shantazhi, abuzimi dhe zhvatjeje të një biznesmeni franko-algjerian, i cili dyshohet se kishte informacion komprometues për vetë Al-Khelaifin.

Tayeb B., është emri i biznesmenit 41-vjeçar që u arrestua më 13 janar të vitit 2020 në Katar.

Ai u burgos dhe qëndroi në qeli deri në muajin nëntor të atij viti, pasi dyshohet se zotëronte materiale me ndjeshmëri të madhe, në të cilat do të dilte emri i presidentit të PSG-së si një nga personat e përfshirë në zgjedhjen e parregullt të Katarit si vend organizator i Botërorit të këtij viti.

Liberation shkruan se ndaj franko-alegjerianit është ushtruar presion i madh psikologjik, teksa u lirua nga burgu vetëm pasi dorëzoi materialet komprometuese në bazë të një marrëveshjeje konfidenciale me avokatët e kreut të kampionëve të Francës.

Al-Khelaifi u akuzua edhe në Zvicër kohë më parë në lidhje me fitimin e padrejtë të të drejtave televizive të Kupës së Botës.

Në akuzë theksohet se 48-vjeçari ka fituar të drejtat e transmetimit për BeIN Sports nëpërmjet korrupsionit, sikurse është përdorimi i një vile në Sardengna të Italisë, që iu dha ish-sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke.

Sipas autoriteteve helvete, Al-Khelaifi i ka siguruar “përfitime të padrejta” ish-sekretarit të FIFA-s, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe falsifikimin dokumentesh bashkë me një person të tretë, emri i të cilit ende nuk është zbuluar.