PRISHTINE– Vali Corleone nga Gjilani, nuk është i vetmi kosovar që nuk i ka thënë kurrë “puna e mbarë”. Në Kosovë janë rreth 150 mijë qytetarë që nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës referojnë një fakt të tillë.
Shumica e personave që nuk kanë punuar më parë janë meshkuj të moshës nën 35 vjeç. Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë marrë asnjëherë rrogë janë me shkollë të mesme ose të lartë. Nuk mungojnë edhe rastet kur persona me shkollim pasuniversitar dhe me doktoraturë nuk kanë punuar kurrë më parë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se ky grup i të papunëve që nuk kanë punuar kurrë janë një shtresë e dëshpëruar, pasi as që kërkojnë punë.