Zjarrfikësit italianë po luftojnë prej ditësh me një zjarr të madh pyjor në Toskanë, i cili është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke detyruar evakuimin e rreth 3,000 banorëve.
Vatra e zjarrit, aktive që prej ditës së martë, ka përfshirë mbi 800 hektarë në malin Faeta, zonë që shtrihet midis provincave të Lucca dhe Pisa. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet vendore, përfshirë edhe drejtuesit e bashkisë së San Giuliano Terme.
Gjatë natës, erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke përkeqësuar situatën dhe duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime emergjente. Presidenti rajonal i Toskanës, Eugenio Giani, bëri të ditur se operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë me intensitet të lartë.





