India ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për linjat ajrore pakistaneze, në përgjigje të ndalimit të vendosur më herët nga Pakistani për fluturimet indiane mbi territorin e tij. Vendimi i Indisë hyn në fuqi nga 30 prilli dhe do të zgjasë deri më 23 maj, sipas një njoftimi zyrtar nga qeveria indiane.

Ky përshkallëzim vjen pas një sulmi të përgjakshëm ndaj turistëve në rajonin e kontestuar të Kashmirit, ku humbën jetën 26 persona. India akuzon për këtë sulm tre persona, dy prej të cilëve shtetas pakistanezë, duke i cilësuar si “terroristë”. Nga ana tjetër, Pakistani ka mohuar çdo përfshirje dhe ka kërkuar një hetim transparent dhe të pavarur. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i ka kërkuar SHBA-ve që të ndërhyjnë për uljen e tensioneve dhe ka deklaruar se nuk pranon akuzat e Indisë.

Masa ndëshkuese të ndërsjella janë ndërmarrë nga të dyja palët që nga sulmi, përfshirë edhe pezullimin e Traktatit të Ujit të Indusit. Ndërkohë, PIA, kompania ajrore kombëtare e Pakistanit, ka deklaruar se po shmang hapësirën ajrore indiane për shkak të tensioneve në rritje.

Autoritetet pakistaneze njoftuan gjithashtu se kanë “informacione të besueshme” për një veprim të mundshëm ushtarak nga India në ditët në vijim. Ministria e Jashtme e Indisë nuk ka komentuar ende mbi këto zhvillime.