Turizmi natyror në Shqipëri po njeh rritje të qëndrueshme. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vizitat në zonat e mbrojtura janë rritur me 10% në muajin shkurt 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në shkurt u regjistruan 272,658 vizitorë vendas dhe të huaj në zonat natyrore të mbrojtura. Qarku i Gjirokastrës ka shënuar një nga rritjet më të ndjeshme.
Në kategorinë e Parqeve Kombëtare, 13 zona janë vizituar nga 54,489 persona, ku 74.4% ishin vendas dhe 15.6% të huaj. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta kryeson me 38.9% të vizitave, i ndjekur nga Alpet e Shqipërisë (19.3%) dhe Mali i Dajtit (16.9%).
Për Monumentet e Natyrës, nga 30 zona të shpallura, vetëm 23 patën vizitorë gjatë shkurtit, me gjithsej 24,978 persona. Prej tyre, 88% ishin shqiptarë. Monumenti më i vizituar ishte Sarisalltiku në Krujë (25.2%), ndjekur nga Shpella e Shënandoit (15%).
Ndërkohë, në kategorinë Peizazh i Mbrojtur, vizitorët arritën në 72,534 në shtatë nga tetë zonat e kësaj kategorie. Liqeni i Pogradecit zuri pjesën më të madhe të vizitave (85.4%), pasuar nga Buna dhe Pishë Poro.