Në vitin 2025, qytetarët spanjollë u detyruan të shpenzojnë mesatarisht 50% të pagës së tyre bruto për qira, një rekord krahasuar me 47% një vit më parë.

Sipas një studimi të realizuar nga InfoJobs dhe Fotocasa, rritja e çmimeve të qirasë vazhdon të tejkalojë rritjen e pagave. Gjatë vitit të fundit, pagat u rritën me vetëm 1%, ndërsa qiratë me 6.9%, duke arritur mesatarisht 14.21 euro për metër katror në muaj.

Për një apartament prej 80 metrash katrorë, qiraja mesatare vjetore arrin në 13,642 euro, duke bërë që rreth gjysma e pagës mesatare bruto vjetore në Spanjë të shkojë për strehim.

Në nivel rajonal, Madridi renditet si zona me barrën më të lartë, ku qiraja merr rreth 71% të pagës bruto, i ndjekur nga Katalonja me 70%, Ishujt Balearik me 64%, Ishujt Kanarie me 56%.

Barcelona mbetet më e shtrenjta, ku qiraja arrin të konsumojë rreth 76% të pagës mesatare.

Sipas Fotocasa, fakti që gjysma e pagës shkon për qira përbën një situatë emergjente për strehimin, pasi tejkalon ndjeshëm nivelet e përballueshmërisë. Ndërkohë, InfoJobs thekson se rritja e pagave nuk po arrin të ndjekë ritmin e rritjes së kostove të jetesës, duke kufizuar kursimet dhe duke vonuar vendime të rëndësishme jetësore si pavarësimi nga familja apo krijimi i një familjeje.