Gjermani, 31 korrik 2014 – Bajern Mynih ka udhëtuar drejt SHBA-së për të marrë pjesë në një turne miqësor pa pasur në radhët e veta shefin ekzekutiv, Karl Hainc Rumenige, i cili ka mbetur pa vizë amerikane. Sipas “Bild”, Rumenige nuk është i vetmi pjesëtar i stafit të bavarezëve të cilit i është mohuar viza për të hyrë në SHBA. Atij i janë bashkuar 5 pjesëtarë të televizionit të klubit, “FCB.TV”, si dhe 6 lojtarë të rinj të marrë nga ekipi U-16. Bavarezët kanë shpjeguar se ky ishte një problem i brendshëm i ambasadës amerikane.
“Ka probleme me sistemin e tyre që të premten. Rumenige është një prej 50 mijë njerëzve në pritje”, tha shefi i komunikimit të Bajernit, Markus Horuik, version që më pas u konfirmua edhe nga ambasada. Megjithatë, për shkak të kësaj situate, për disa orë, në faqe të ndryshme interneti, aludohej se ndalesa ishte bërë për shkak të dosjes penale të Rumeniges, që është ndaluar një herë në Aeroportin e Mynihut, pasi nuk kishte deklaruar në doganë dy orë “Rolex”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





