Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka komentuar procesin zgjedhor brenda PD-së dhe rolin e Sali Berishës në parti.
E pyetur për demokratikën e procesit kur ka vetëm një kandidat, Topalli u fokusua te figura e Berishës, duke e cilësuar rastin e tij si “unik”. Sipas saj, Berisha është përballur me një izolim dhe presion të paprecedentë politik e ndërkombëtar, por pavarësisht kësaj ka arritur të rikthehet përmes mbështetjes së votuesve.
Topalli tha se ai ka zhvilluar fushatë edhe në kushte të vështira, duke përmendur heqjen e vulës së partisë dhe situatat ligjore ndaj tij. Ajo shtoi se mbështetja që ai ka marrë nga një numër i madh qytetarësh e vendos figurën e tij në një “territor simbolik”, ku sipas saj nuk funksionon më logjika e zakonshme politike.
Pyetje: Sa demokratik është procesi, kur anëtarët e PD-së kanë vetëm një kandidat?
Topalli: Në fund, politika është provë karakteri. Ka liderë që në pushtet janë të fuqishëm për shkak të pushtetit. Janë shumë të rrallë ata që bien në këmbë kur iu heq gjithçka. Në rastin e zotit Berisha ka ndodhur një rast shumë unik. Është sulmuar në mënyrë të paprecedentë, është lobuar që ta shpallin “non grata”, ka pasur një izolim planetar si kurrë më parë dhe ja ka dalë të rikthehet përmes besimit të njerëzve.
Ju jeni dëshmitarë: në zgjedhje i kanë hequr vulën, emrin, e kanë arrestuar dhe ka bërë fushatë nga arresti. Kur liderit i heq instrumentet më normale politike, ti i ke kapërcyer kufijtë politikë. Dhe kur ai në këto kushte merr besimin e mbi gjysmë milioni shqiptarëve, hyn në një territor tjetër që është territori i simbolikës. Dhe në territorin e simbolikës nuk funksionon më logjika e establishmentit.





