…Nuk mund të ndaheshim me Fahredinin pa një kujtim, që në këtë rast e luan mirë funksionin fotoja. Dhe krahas shumë kujtimeve, më në fund edhe një të tillë me mikun e vjetër, me njeriun e artë, me profesionistin e disa zanateve, me një përfaqësues nderues të fisit të famshëm të Bllacëve – Fahredin Bllaca…

Nga BUJAR QESJA

E martë, 28 qershor 2021. Temperatura të larta dhe siklet po heqim nga pak të gjithë. Por jemi me fat që ka rënë forca e tmerruesit Covid, që vapa deri diku të na duket lule. Nuk rri dot pa miq dhe shokë, por shyqyr që edhe ata më begenisin. Më vizitojnë në strehën time të punës, aty ku me djersë dhe përpjekje tentoj sadopak të zbusë ngarkesën financiare të familjes. Aty shijoj edhe kafenë më të mirë në botë, duke ndjekur të njëjtën traditë si të prindërve tanë. Një furnelë të thjeshtë, shkrepsen, zhezven, gotën e ujit dhe filxhanin aq joshës.

Në këtë mëngjes të kësaj dite, dalloj siluetën e një miku fort të preferuar, por edhe jo të shpeshtë. Një republikë tërheqëse, ia kishte mbuluar kryet dhe si një rojtar i vëmëndshëm, pengonte depërtimin e rrezeve të diellit në këtë portë hyrëse të trupit. Biçikleta, “motra” e tij e zellshme, nuk i ndahet dhe e çvendos këtë mik atje ku ai kërkon. Është Fahredin Bllaca. Eh çfarë njeriu! I rrallë në fisnikëri. Traditë e gjallë dhe e freskët e trashigimisë. Farua, siç i thërrasim, ka patur probleme delikate me zërin, aq sa është e pamundur të artikulohet tingulli. Kordat vokale nuk ekzistojnë. Por kurajo dhe zelli i tij, shembin malet.

Biseduam gjatë, punë orësh. Por shumë pak na u desh të përdorej lapsi dhe letra. Më shumë e kërkova unë si mënyrë profesionale, për të shënuar pak emra, sepse friksohesha se kujtesa mos të më linte në baltë. Në këtë 28 qershor 2021, mua mu duk, se Fahredin Bllacës i erdhi zëri. A ka zë më të fortë dhe më të bukur, kur njeriu flet dhe komunikon me zërin e zemrës, të shpirtit të pastër dhe të ndritshëm si flori?

Eh Fahredin sa mirë bëre që erdhe! Jo vetëm që mi krijove mëngjesit një tjetër ngjyrim dhe emocion, por më bërë të ndjehem i gëzuar dhe krenar për miqtë si ti, të ndjeshëm, të pastër, të mirë, bujarë dhe të dashur, me shumë kulturë, por me shumë mall për prindërit dhe miqtë e rrallë që nuk jetojnë. Kjo ishte edhe arsyeja që erdhe në strehën time, e cila është po aq e madhe dhe po aq e gjërë sa zemra e jote.

Shumë gjëra kur i kujtojmë, na duket sikur i dëgjojmë për herë të parë. Ardhja e Bllacëve në Durrës në vitin 1939, pas një qendrimi 11-të vjeçar në Stamboll të Turqisë. Këta gjirokastritë krenarë në punën dhe jetën e tyre, për një mundësi më të mirë jetese prekën tokën turke. Atje edhe mësuan artin e famshëm të përgatitjes së akulloreve, kasatave, parfeve, pastave të ftohta dhe larminë e prodhimeve të akullta. Fahredini është djali i Fetahut. Është djalë i vetëm. Dy vëllezërit pas tij janë Reshati dhe Sula. Këta të tre së bashku me dy më të mëdhenjtë, përbënin pesëshen e artë të atyre Bllacëve, që kanë bërë legjendë dhe histori në prodhimin e akulloreve.

Farudini përfundoi studimet e lartë për zootekni në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës dhe punoi për shumë vite në ndërmarrjen bujqësore të Spitallës. Ishin vitet 80-të. Dhe unë punoja në Spitallë nga Bashkimet Profesionale, shoqëruar nga shoqja ime e hershme edhe shumë e ngushtë biçikleta. Specialist i zoti ky Fahredini dhe shumë i kujdesshëm në punë. Që nga ajo kohë kemi ruajtur miqësi dhe respekt reciprok.

-Më solli Afërdita (e shoqja)sot tek ty Bujar. Nëse do të mbarosh punë, takoje mikun tënd të të ndihmojë”.

Kështu më foli sapo u ul Fahredin Bllaca. Futbollisti i njohur i “17 Nëntorit” të Tiranës, eleganti dhe fantastiku Perikli Dhales është ndarë nga jeta para tri vitesh. Por disa ditë të shkuara, i është dhënë titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”. Fahredin Bllaca kujton se me babain e Perikliut Sarandin, që ngjason me prezantuesin e famshëm italian Nino Manfredi dhe të vëllain e tij Sofokliun, ka trashëguar një miqësi vëllazërore dhe mbreslënëse. Dhe këtë miqësi e trashëgoi edhe Perikli Dhalesi.

Fahredini nxorri lot, kur kujtoi që një ditë Perikliu kishte ardhë në dyqanin e tij të akulloreve dhe e kishte kërkuar për ta takuar. Por nuk e kishte gjetur aty. Dhe më pas ato nuk ishin takuar më. Kur Dhalesi dekorohet pas vdekjes, Farudin Bllaca vjen tek miku i tij Bujar Qesja, për ta ndihmuar se si mund të lidhej me familjen e tij. Donte të shprehte kënaqësinë e këtij vlerësimi dhe ti thonte familjarëve të Dhalesit, që këtë urim e kanë nga një mik me kokë i tyre.

Arritëm të komunikonim me djalin e Dhalesit – Frenkli. Natyrisht unë fola në emër të Fahredin Bllacës. Dhe zëri im u drodh. Mosha dhe sentimentet e mia tashmë, ngjasojnë shumë me ato të Farudinit dhe kupat e syve mu mbushën me lot. E urova për titullin dhe me këtë rast kujtuam Perikli Dhalesin, babain dhe xhaxhain e tij.

Më befasoi kur arrita të mësoj moshën e këtij Fahredini të mirë dhe një qytetari aq të ëmbël, për ta pirë në kupë. Kur më tregoi se është i 16 prillit 1936, i thashë luaj vëndit. Para meje një 85 vjeçar, me shkëlqimin, bardhësinë dhe bukurinë e kasatave të tij.

-Eh marshalla, marshalla Faro! Edhe 100 i miri ynë, edhe 100!

Fahredini ka tre fëmijë. Dy djem Edin dhe Fetahun (duke trashëguar emrin e babait) dhe vajzën Florën. Edhe e shoqja Afërdita, është një grua e fisme dhe plotëson portretin e një çifti të mrekullueshëm, modestë por shumë të dashur.

-Zanatin e prodhimit të kasatave dhe parfeve, më flet Fahredin Bllaca, ia kam mësuar të dy djemve. Dhe jam i kënaqur që ato punojnë fort, secili në pavarësinë e tij dhe kanë kërkesa nga i gjithë vëndi. Kasatat tona janë tashmë me nam dhe preferenca e tyre ka marrë dhenë. Është dora, mëndja dhe trashigimia e të paharruarit babait tim Fetah Bllacës.

Nuk mund të ndaheshim me Fahredinin pa një kujtim, që në këtë rast e luan mirë funksionin fotoja. Dhe krahas shumë kujtimeve, më në fund edhe një të tillë me mikun e vjetër, me njeriun e artë, me profesionistin e disa zanateve, me një përfaqësues nderues të fisit të famshëm të Bllacëve – Fahredin Bllaca.

Mbeç me shëndet miku im!