Ekspozitë homazh me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të skulptorit të njohur durrsak. Jeta plot tallaze e njërit prej portretistëve më të shkëlqyer shqiptarë. “Skulptori me buzëqeshje të trishtë” nga i cili mësuan shumë prej artistëve shqiptarë.

Ai ishte një djalë që vinte nga një familje e pasur shqiptare, por nuk donte të merrej me tregti, po me art. Ndërsa ajo ishte një italiane e bukur, që kishte si aspiratë të bëhej aktore në Cinecitta. Rastësia bëri që të takoheshin në Romë, kur ai në atë kohë studionte në Akademinë e Arteve të bukura. Qe një dashuri me shikim të parë, aq sa djali nuk hezitoi t’i kërkonte babait të të dashurës dorës e vajzës. Dhe vjehrri i tij i ardhshëm nuk refuzoi, megjithëse bëhej fjalë për një të huaj, pasi ai kishte një të ardhme të garantuar përpara, sepse pas diplomimit i kishin propozuar të bëhej asistent profesor në Akademinë ku kreu studimet. Po flasim për Sabri Tuçin, skulptorin e njohur durrsak, mentorin e brevave të tërë artistësh ish nxënës të tij (piktorë apo skulptorë), që sot e kësaj dite vazhdojnë të kujtojnë se qe pasioni dhe mbështetja e ish-mësuesit të tyre, ajo që i shtyu drejt rrugës së artit. Sabri Tuçi, menjëherë pas diplomimit, u kthye në Shqipëri së bashku me gruan e tij italiane, Maria, e në vitin 1946 u shpërngul nga Kruja për t’u vendosur në Durrës, ku i kushtoi gjithë jetën e tij artit.

Skulptorit Tuçi i njihet merita se ishte i pari që hapi një kurs vizatimi në Durrës dhe në studion e tij punoi për vite me radhë me dhjetëra e qindra nxënës, shumë prej të cilëve kanë lënë gjurmë në historinë e pikturës dhe skulpturës durrsake dhe shqiptare si Kristaq Rama, Nelo Lukaçi, Rruzhdi Rraklli, Qazim Kërtusha, Idriz Balani, Myrvete Dajlani e shumë të tjerë. Siç rrëfejnë ish-nxënësit e tij dhe familjarët, dashuria që Sabri Tuçi kishte për artin ishte mjaft e fortë dhe kjo dashuri nuk iu shua, as kur ai u përball me peripeci të shumta gjatë jetës së tij (i burgosën të shoqen për 10 vjet me akuzën “Tradhti ndaj atdheut”, i hoqën për disa vjet të drejtën e ushtrimit të profesionit, i mbyllën studion). Vajza e tij e vogël, Ana, ajo që e ka ndjekur gjithmonë në punën e tij me studentët dhe në ekspozitat e shumta ku merrte pjesë, shprehet se heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit ishte dënimi më i rëndë për babain e saj, pasi t’i heqësh një artisti të drejtën të krijojë, është njësoj si t’i heqësh një njeriu të zakonshëm të drejtën të ushqehet, të marrë frymë. “Periudha e heqjes së të drejtës së profesionit ishte nga vitet më të vështira të tij. Vërtet u prek shumë nga burgosja e të shoqes, por kur i mbyllën studion vuajti edhe më shumë. T’i heqësh një artisti krijimin, është njësoj sikur i ke prerë duart”,- thotë Ana. Po pavarësisht vështirësive, vuajtjeve, peripecive të shumta me të cilat ai u përball, nuk e dha veten, pasi ishte një njeri me karakter të fortë. Vajza e tij rrëfen se vuajtja shpirtërore e nxiti që të nxirrte më pas nga duart disa nga punimet e tij më të arrira. “Babai nuk e dha asnjëherë veten para nesh, nuk na tregonte hidhërimet e vuajtjet e tij. Brenda një dhjetëvjeçari, ai përjetoi dy fatkeqësi të mëdha, por kjo i dha forcë shpirtërore që pas rehabilitimit të punonte edhe më mirë. Pas kësaj periudhe të vështirë ai nxori punimet më të mira si Kasem Durrësi, Nako Spiru, portret vajze etj. Gjithë vuajtjen që kishte në shpirt e në zemër e nxori dhe e gdhendi në gur e mermer”,- rrëfen vajza e tij.

 

Bashkëkohësit e tij e kujtojnë Sabriun si një njeri plot humor e batuta, e kjo buzëqeshje shihet në portretin e tij në bronz, megjithëse e shkrirë paksa tek një pamje disi e trishtë, siç e bënë të trishtuar peripecitë e tallazet me të cilat e përballi jeta. Ndoshta “skulptori me buzëqeshje të trishtë” do të ishte epiteti që mund t’i vinim portretit të realizuar nga Idriz Balani

Pikërisht, këtë vuajtje të thellë shpirtërore duket se e ka portretizuar mjaft mirë skulptori dhe ish nxënësi i tij, Idriz Balani, në portretin që i ka bërë Tuçit. Bashkëkohësit e tij e kujtojnë Sabriun si një njeri plot humor e batuta, e kjo buzëqeshje shihet në portretin e tij në bronz, megjithëse e shkrirë paksa tek një pamje disi e trishtë, siç e bënë të trishtuar peripecitë e tallazet me të cilat e përballi jeta. Ndoshta “skulptori me buzëqeshje të trishtë” do të ishte epiteti që mund t’i vinim portretit të realizuar nga Idriz Balani, e ku Ana Tuçi gjen të portretizuar në mënyrë realiste babain e saj, imazhin e atij artisti që pavarësisht pengesave të mëdha që i dolën gjatë rrugës nuk e hoqi daltën nga dora. Ashtu si nënvizon skulptori tjetër i njohur, Muntaz Dhrami, Sabri Tuçi dinte të depërtonte mjaft mirë në psikologjinë dhe shpirtin e personazheve që portretizonte e kjo dallohet qartë si në portretet që mund të cilësohen të periudhës së realizmit socialist ashtu dhe në veprat e tjera kushtuar personaliteteve të historisë sonë, që duket sikur vijnë ashtu të plotë, realë e të gjallë, siç i kujtojmë nga fotografitë e kohës. Një vend të veçantë zë në krijimtarinë e tij edhe portreti i gruas, i Marias së tij, me të cilin Tuçi, fitoi medaljen e argjendtë në Bienalen ndërkombëtare të Kajros në Egjipt. Në këtë portret, por dhe në të tjerë që i dedikohen botës femërore, Tuçi ka ditur të depërtojë më së miri në shpirtin e tyre, në delikatesën, finesën dhe brishtësinë femërore duke na sjellë disa portrete të rrymës neoklasike me mjaft vlera artistike.

 

MUNTAZ DHRAMI

Sabri Tuçi, ky portretist i shkëlqyer

Sabri Tuçi është një skulptorët më të mirë shqiptarë, bashkëkohës i Odise Paskalit, Llazar Nikollës etj. Ai solli nga Europa Perëndimore mjeshtërinë artistike të gdhendjes së gurit dhe mermerit. Solli prej andej tiparet e shkollës realiste, të cilat Sabriu i trupëzoi shumë mirë në veprat që ka lënë në skulpturë. Vepra e tij është në themelet e skulpturës realiste shqiptare. Sabri Tuçi ka qenë një portretist i shkëlqyer, pasi ka ditur të depërtojë në psikologjinë e figurave e njerëzve të ndryshëm që ka portretizuar. Ai ka qenë një artist që dinte të zbulonte vlerat estetike të materialeve në të cilat ka punuar. Jeta e tij ka qenë plot tallaze, por ai nuk e la asnjëherë punën. Studioja e tij ishte një Mekë, ku nxënësit shkonin të faleshin e të mësonin të zhvillonin aftësitë e tyre artistike.

 Regjimi e penalizoi, pasi ai nuk arriti të zbulonte të gjitha aftësitë e veta dhe u përqendrua kryesisht në gjininë e portretit. Pak është marrë me gjininë e kompozimit. Nga kjo pikëpamje mund të them se ngushtësia tematike e ka penguar, por duke qenë piktor realist, duke bërë portretet e njerëzve të shquar të historisë sonë, vepra e tij nuk u prek shumë nga diktatet e realizimit socialist. Tuçi duke dhënë portretin realist të kohës së vet ka qenë brenda kërkesave të kohës. Ai nuk ka bërë portrete impozante për t’i vënë nofkën socialist, por diti të pasqyrojë në veprën e tij tiparet e karakteristikat e shkollës ku studioi e u formua si artist.

 

HOMAZHI, Ekspozita me 16 vepra të skulptorit

Në përkujtim të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të skulptorit të njohur Sabri Tuçi familjarët dhe ish-nxënësit e tij hapën një ekspozitë homazh për të sjellë edhe njëherë para artdashësve durrsakë disa nga veprat më të mira, në gur dhe mermer të skulptorit Tuçi. Në pamundësi të sjelljes së të gjitha veprave, që ndodhen të shpërndara kudo në Shqipëri (në galerinë “Nikolet Vasia” janë ekspozuar vetëm 16 vepra), shumë prej tyre vijnë në memorien e artdashësve përmes fotografive. Në ekspozitë janë përfshirë dhe disa nga punimet e ish-nxënësve të tij, atyre që mësues Sabriu u ngjizi dashurinë për artin që kur ishin të vegjël. Gjatë gjithë jetës së tij Sabri Tuçi realizoi rreth 180 punime, kryesisht në allçi, gur, mermer e bronz. Ai u shqua më tepër për skulpturën e kavaletit. Nga dalta e tij kanë marrë formë për t’u përjetësuar gjithmonë figura e personalitete të njohura të historisë sonë si Skëndërbeu, Vrana Konti, Aleksandër Moisiu, Selam Musai, Mujo Ulqinaku, Nikolin Xhoja, zonja Curre etj. Sabri Tuçi njihet si skulptor realist, diku-diku me një frymë neoklasike. Në vitin 1992, Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha i akordoi titullin “Skulptor i merituar”, pas vdekjes. Persekutimi që i bëri regjimi komunist bëri që Tuçi të mos merrte vlerësimin që meritonte. Vetëm në vitet e fundit të jetës së tij ju lejua të hapte një ekspozitë personale, një dëshirë e kahershme e tij. Atij i njihet merita se ishte një nga nismëtarët e hapjes së galerisë së arteve figurative të Durrësit dhe përgjegjësi i parë i saj. Me punimin e tij për mbrojtjen e diplomës në Itali, ku u paraqit me skulpturën “Djaloshi shqiptar” mori vlerësime të shumta, aq sa arritën ta quanin Fidia shqiptar, ndërsa për sa i përket vlerave artistike të veprës, skulptura u konsiderua nga profesorët e tij si “Davidi shqiptar”, duke bërë paralelizmin me skulpturën e famshme të Davidit të Mikelanxhelos. Përveç çmimeve të ndryshme të marra në Shqipëri ai është nderuar me medaljen e argjendtë në Bienalen e Aleksandrisë të mbajtur në Kajro të Egjiptit.