“Drita ngjyrë dhe ngjyra dritë” titullohet ekspozita e piktorit të njohur durrsak Sali Xhixha, e hapur këto ditë në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”. Hapja e ekspozitës pikërisht në këtë periudhë të vitit kishte dy qëllime në vetvete; autori i saj mbushte 80 vjeç, por njëkohësisht mbusheshin 60 vjet që nga koha, kur ai nisi krijimtarinë e tij artistike. Jeta e Sali Xhixhës është një jetë kushtuar artit, një jetë e karakterizuar nga pasioni i madh për të bukurën e për qytetin. Në pamundësi për të vazhduar shkollën për arsye ekonomike (i është dashur të punojë që kur ishte 8-9 vjeç, në fabrikën e duhan-cigareve), ai e kishte të lindur talentin për të pikturuar. Megjithëse, gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk mori asnjëherë leksione të vërteta pikture, tablotë e tij përçojnë një ndjesi të ngrohtë, një nostalgji të lehtë për rrugicat e vjetra të qytetit, për lagjet e tij karakteristike, për momentet e rëndësishme të historisë së tij.

E hapur në një ditë të acartë, ekspozita e Xhixhës dhe tablotë e ekspozuar aty i ngrohën artdashësit, që vlerësonin në çdo pikturë aftësinë artistike të piktorit për të përcjellë përmes penelit të tij, ngjyrave e dritës një botë që megjithëse shumë e largët në kohë, të vjen shumë pranë përmes realizmit që përcjell tabloja. Durrësi, në të gjitha dimensionet e tij, me rrugët, njerëzit, detin, portin, sektorët e punës, vjen plot ngjyra në telajot e Xhixhës, që dashurinë e fortë që e lidhte me vendlindjen e tij e shkriu me bojërat e vajit dhe kretën (argjilën) duke i dhënë jetë një qyteti plot dritë. Mu duk mjaft i gjetur titulli “Drita ngjyrë e ngjyra dritë”, pasi në të 65 tablotë e ekspozuara aty loja me ngjyrat dhe dritën krijonte kontrastin e duhur si në peisazhet, portretet ashtu dhe tek tablotë e natyrës së qetë. Veç figurave historike si Skënderbeu, Isa Boletini etj, Xhixha ka sjellë me mjaft realizëm e vërtetësi edhe portretet e njerëzve të thjeshtë, punëtorëve apo partizanëve. Në të gjitha pikturat e Xhixhës dominojnë ngjyrat e forta që të ndërthurura këndshëm me njëra tjetrën i japin më shumë vitalitet jo vetëm tablosë, por edhe personazhit apo peisazhit. Pikturën e tij të parë, “Demostrata e parë antifashiste në Durrës”, Sali Xhixha e ekspozoi në vitin 1947, vetëm kur ishte 15 vjeç. E që nga ajo kohë ai nuk reshti asnjëherë së pikturuari, nuk e hoqi për asnjë moment penelin nga dora.

 

E hapur në një ditë të acartë, ekspozita e Xhixhës dhe tablotë e ekspozuar aty i ngrohën artdashësit, që vlerësonin në çdo pikturë aftësinë artistike të piktorit për të përcjellë përmes penelit të tij, ngjyrave e dritës një botë, që megjithëse shumë e largët në kohë të vjen shumë pranë përmes realizmit që përcjell tabloja. Durrësi, në të gjitha dimensionet e tij, me rrugët, njerëzit, detin, portin, sektorët e punës, vjen plot ngjyra në telajot e Xhixhës, që dashurinë e fortë që e lidhte me vendlindjen e tij e shkriu me bojërat e vajit dhe kretën (argjilën) duke i dhënë jetë një qyteti plot dritë.

Gjatë rreth 60 viteve, ai kompozoi 540 piktura, shumë prej të cilave ndodhen në Galeritë e Arteve Figurative në Tiranë e Durrës, ndërsa të tjerat janë të shpërndara në institucione të ndryshme, shkolla apo koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Për shumë vite me rradhë ai ishte një nga drejtuesit e Rrethit Artistik te Shtëpisë së Pionerit dhe atij të sektorit të pikturës, ku nxorri shumë talente të reja në këtë gjini. Sali Xhixha është një nga pionerët e pikturës në Durrës dhe për shumë vite ka qenë piktor dekorator i qytetit. Gjatë të gjithë karrierës së gjatë artistike Xhixha ka hapur katër ekspozita personale nga viti 1947-1982, ndërkohë që ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe në shumë ekspozita kombëtare. Ai është dekoruar tre herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si dhe nga Ministria e Arsimit e Kulturës me Fletë nderi në Art. Xhixhës i njihet merita se hapi të parin repart artistik të qytetit në vitin 1949, ndërkohë që 10 vjet më vonë u hap një tjetër repart po me inisiativën e tij. Të njëjtën gjë ai bëri dhe në Kavajë, ku në vitin 1973,  u hap i pari repart artistik i qytetit. Për ata që e kanë ndjekur vit pas viti krijimtarinë e Sali Xhixhës, që janë njohur nga afër me shumë nga punët e tij, ai mbetet një shkollë më vete në pikturë. 

 

Bashkia i akordon titullin  “Mirënjohja e Qytetit”

Në 80 vjetorin e lindjes, piktori i njohur durrsak, Sali Xhixha u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Pushteti lokal, për të vlerësuar përkushtimin e tij prej disa dekadash ndaj artit, vendosi të nderojë piktorin Xhixha për dimensionet që arti i krijuar prej tij ndër vite vazhdon të përcjellë edhe sot. Gjatë fjalës së tij, drejtori i sektorit të kulturës në bashkinë e qytetit, Adrian Gurra theksoi se: “titulli që i akordohet Xhixhës është një vlerësim për kontributin e dhënë në 60 vjet krijimtari, për vlerat dhe dimensionin e artit të tij përmes të cilit vazhdon të na transmetojë edhe sot mesazhe dashurie për njerëzit dhe qytetin”.  Pas dhënies së çmimit, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka falenderuar piktorin e njohur për kontributin e madh që ai ka dhënë për artin dhe njëkohësisht për qytetin ku u lind e u rrit. “Artistë të këtij kalibri do të nderohen gjithmonë nga qytetarët e Durrësit për shkak të kontributit që ata kanë dhënë e vazhdojnë të japin për qytetin”,- nënvizoi kryebashkiaku. Në ekspozitën e hapur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” të Durrësit morën pjesë shumë përfaqësues lokalë, personalitete të fushave të ndryshme si dhe shumë miq të piktorit Xhixha e qytetarë durrsakë.