Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka hedhur poshtë zërat se dita e martë, kur do të mbahet samiti BE-BP do të jetë pushim sa i takon shkollave të Tiranës.

Në një postim në facebook ajo konfirmon se mësimi do të vijojë normalisht edhe pse mbajtja e këtij samiti në Tiranë është vlerësim për vendin tonë.

Postimi:

E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian. Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!