Sara Hoxha ka zbuluar në emisionin “Cherry on Top” me Bora Zemanin se do të jetë pjesë e një projekti të ri filmik të “Top Channel Films”. Ky projekt i ri përfshin edhe vajzën e saj dhe Ledri Vulës, Poem Blu. Filmi, bazuar në ngjarje të vërteta, trajton tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit që tronditi Shqipërinë dhe la pas shumë viktima dhe shkatërrim.

Filmi i ri është ndërtuar mbi një histori të vërtetë dhe do të përshkruajë përvojat traumatike dhe momentet e vështira që përjetuan njerëzit gjatë dhe pas tërmetit. “Është një film ndryshe nga ‘Në kuadër të dashurisë’, më i vështirë dhe kushtet që ishin. Kemi xhiruar për tre ditë të tëra atje. Jam kurioze ta shoh veten se nuk e kam parë. Kam qenë në Kosovë kur ra tërmeti, familja ime ishte këtu. Ishte ankth, mund të futeshe në atë rol. Do jetë një film që shqiptarët do i prekë shumë”, rrëfeu Sara.

Sara tregoi se fillimisht kishte refuzuar që vajza e saj, Poem, të ishte pjesë e filmit. Megjithatë, pas dëshirës së madhe të Poem për të marrë pjesë në projekt, Sara ndryshoi mendim. “Refuzova në fillim, por kur i tregova Poit ajo tha ‘po do bëjmë film’, i lexova skenarin dhe filloi t’i bëjë gjërat. Ajo i mësoi gjërat dhe kur kemi shkuar në set ishte në gjendje të mirë. Nuk kam patur një moment më të madh krenarie se ç’pata aty”, tha ajo.

Kur u pyet nëse kishte diskutuar me Ledrin për përfshirjen e Poem në film, Sara konfirmoi se gjithçka e lidhur me vajzën e tyre vendoset së bashku. “Po patjetër, çdo gjë mbi Poin e vendosim bashkë, por ai është vetë artist, nuk do ishte kundra një lëvizje artistike. Ne jemi shumë mirëkuptues dhe as unë as ai nuk do ndalonte dëshirën ta kemi Poin në projektet tona.”