Sarah Berisha është një nga konkurentet e Big Brother VIP, e cila iu bashkua këtij formati në ditët e fundit të muajit tetor.

25-vjeçarja nga Durrësi, vajza e ish-deputetit Pëllumb Berisha, numëron me mijëra ndjekës në Instagram, pasi prej vitesh ajo i është përkushtuar pasionit të saj, modës, duke u prezantuar si fashion bloger influencer.

“Unë jam një persona shumë i shoqërueshëm, kështu që mendoj se do të bëj miqësi me të dyja palët si me djemtë si me vajzat, nuk e kam problem këtë pjesë”,- thotë ajo në klipin prezantues, para se të futej në Big Brother VIP.

Mbrëmjen e së premtes, Sarah ishte mes banorëve të nominuar, por rezultatet e televotimit ishin në favor të saj. Me sharmin e saj, qetësinë dhe pozitivitetin që e karakterizon, Sarah duket se ka bërë për vete publikun, që zgjodhi ta mbante ende në shtëpinë më të famshme të momentit.

Kjo javë duket se do jetë më e qetë për vajzën simpatike nga Durrësi, pasi nuk do të jetë nën presionin e nominimit dhe njëkohësisht mund të shijojë shkëndijat e para të pëlqimit, që duket se kanë lindur mes saj dhe Dj PM (Pajtim Krasniqi), djaloshit nga Kosova, që u bë pjesë e formatit më shumë se një javë më parë.

Surpriza që Vëllai i Madh i bëri në spektaklin e kaluar, ku Sarah u takua me motrën e saj, të cilën njëkohësisht e konsideron edhe shoqen e saj më të mirë, ishte një impuls më shumë për blogeren nga Durrësi për të mos u shqetësuar nga reagimet e publikut jashtë, por edhe familjes së saj.

Motra e saj, Ditea, i dha kurajo duke i sugjeruar të jetë sa më e qetë dhe ta shijojë sa më shumë këtë eksperiencë.

Njëkohësisht duke u ndalur tek afrimiteti i Sarës me Dj Pm, Ditea i tha blogeres se është ajo që zgjedh dhe si motër do t’i qëndrojë gjithmonë në krah.

E diplomuar për drejtësi dhe megjithëse në të ardhmen e sheh veten notere apo avokate, Sarah aktualisht është e fokusuar në fushën e modës, ku duket se e ka kthyer në profesion të vërtetë të qënit influencer.

Në fotot e publikuara në Instagram, Sarah shfaq një stil mjaft IN, një kombinim mes klasikes dhe modernes, që i shkon shumë.