Kancelari gjerman, Olaf Scholz kritikoi ashpër dje miliarderin amerikan Elon Musk për mbështetjen e tij ndaj partisë së ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), duke e quajtur atë “të neveritshme”.
Scholz u tha gazetarëve se, si socialdemokrat, ai ishte mësuar me sipërmarrësit e pasur të medieve që ndërhynin në politikën gjermane, por “ajo që është e re është se Musk po ndërhyn në favor të politikanëve të krahut të djathtë të të gjithë Evropës”.
”Dhe kjo është vërtet e neveritshme. Veprime të tilla dëmtojnë zhvillimin demokratik të Bashkimit Evropian”, theksoi ai.
Musk ka dhënë mbështetjen e plotë të AfD-së, anti emigrimit dhe anti BE-së, në disa raste, në prag të zgjedhjeve federale të Gjermanisë të vendosura për 23 shkurt.
Fushata e tij në emër të AfD-së, së bashku me fyerjet që ai ka bërë ndaj politikanëve të tjerë gjermanë, ka bërë që kritikët ta akuzojnë atë se po përpiqet të përdorë ndikimin e tij për të ndërhyrë në politikën gjermane.
Musk foli me lidhje video me një turmë prej disa mijëra mbështetësish të AfD në një tubim të fushatës në qytetin qendror gjerman të Halles, të shtunën.
Në fjalimin e tij të shkurtër, miku miliarder dhe këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump vlerësoi AfD-në si “shpresën më të mirë” për Gjermaninë.
Në një referencë të dukshme ndaj Holokaustit, në të cilin Gjermania naziste vrau sistematikisht miliona hebrenj dhe të pafajshëm të tjerë, Musk tha se në ditët e sotme ka “shumë fokus mbi fajin e së kaluarës”.
Scholz dënoi komentet e Musk, duke thënë se “ne jemi shumë të lumtur për Shtetet e Bashkuara që çliruan vendin tonë dhe na ndihmuan të bëhemi përsëri një demokraci. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam kaq i zemëruar për Elon Musk që ndërhyn për të djathtën ekstreme”.