Deputeti i Partisë demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale sa i përket seancës së parë gjyqësore të ish-presidentit Ilir Meta.

Në postimin e tij, Balliu shkruan se Meta qëndron në burg si ‘burrë shteti’ në shkelje të procedurave, të ligjit dhe të çdo standardi juridik e njerëzor.

Ai gjithashtu shton se sipas tij, Prokuroria ka dështuar të provojë qoftë edhe një akuzë konkrete ndaj Ilir Metës.

Postimi i plotë i Balliut:

Burrë shteti në qeli, baron droge në pushtet

Sot filloi seanca e parë gjyqësore për Ilir Metën dhe pamja e tij tregonte qartë se ai po përballet me një burg politik, me kufizime çnjerëzore që burojnë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit.

Ilir Meta qëndron në burg politik si burrë shteti, ndërsa këta ordinerë të Rilindjes që vjedhin me lopatë qytetarët çdo ditë zgërdhihen në karriget e pushtetit.

Edhe kur arrestohen, dalin nga burgu më të kuruar se kurrë, sepse pjesën më të madhe e kalojnë jashtë qelive.

Çfarë nuk thuhet për çështjen “Meta”?

Së pari, ai mbahet i burgosur prej gati dy vitesh, në shkelje të procedurave, të ligjit dhe të çdo standardi juridik e njerëzor thjesht nga frika që ka Rama prej tij.

Prokuroria ka dështuar të provojë qoftë edhe një akuzë konkrete ndaj Ilir Metës. Filluan me çështjen e lobimit, por edhe ajo aluzë ra. Vetëm kaq do të mjaftonte që Presidenti Meta të ishte sot jashtë.

Për çështjen CEZ u provua kategorikisht mashtrimi i prokurorëve të Edi Ramës se Ilir Meta kishte përdorur tre karta dhe në fund u dorëzuan, pasi nuk provuan dot që të ishte përdorur qoftë edhe një kartë. Edhe kjo do të duhej të mjaftonte që kryetari i Kuvendit Meta të mos mbahej në qeli.

Një drejtësi që mban jashtë Edi Ramën, por nuk arrin të provojë asnjë akuzë ndaj Ilir Metës, tregon qartë standardin e dyfishtë.

Një gjë është e sigurt: edhe “gëzimi” i disa patronazhistëve, që çdo ditë zhvatin qytetarët, për arrestimin e Metës, fakton se ai është pengesë për këtë regjim.

Nuk mund të harrohet kurrë që policia e Edi Ramës dhe Agasit ishte ajo që mori peng Ilir Metën dhe këtu nuk përjashtohet që pas kamerave, ku filmohej pengmarrja, të ishte vetë Agasi që shikonte dhe njoftonte Edi Ramën për operacionin.