Majkëll Xhordan i ka shokuar të gjithë me rrëfimin e tij në një dokumentar të “ESPN”, që është shfaqur së fundmi në platformën “Netflix”. Legjenda e basketbollit amerikan ka treguar mbërritjen e tij në radhët e skuadrës Çikago Bulls.

“Veteranët e skuadrës bënin gjëra, të cilat nuk i kisha parë kurë më parë, – tregon Xhordan.– Një herë gjatë fazës përgatitore, isha në hotel dhe nisa të kërkoj shokët e skuadrës, duke trokitur në dyert e dhomave, derisa mbërrita në njërën prej tyre, ku dëgjova dikë të thoshte: ‘Shhhh, ka njerëz jashtë’. Më pas dëgjova një tjetër zë: ‘Kush është?’ U përgjigja dhe më hapën derën. Aty ndodhej e gjithë skuadra. Kishte viza me kokainë kudo, cigare me marijuanë dhe femra. Menjëherë u tregova i qartë me ta, duke u thënë:

‘Nëse vjen dikush dhe më shikon në këtë dhomë, do të jem fajtor po aq sa ju’, dhe kështu u largova. Artikujt e asaj periudhe shkruanin se Çikago Bulls kishte qenë një rreth kokaine. Kështu që nga ai moment qëndroja vetëm”, rrëfen Xhordan.

57-vjeçari më pas tha se gjithnjë ka qenë kundër përdorimit të drogës: “Nuk kam përdorur asnjëherë kokainë dhe marijuanë”, përfundon Xhordan.