Senegali fitoi 1-3 ndaj Katarit në takimin e dytë të grupit A në Botërorin Katar 2022. Kampionët e Afrikës zhbllokuan sfidën katër minuta përpara fundit të pjesës së parë me anë të sulmuesit të Salernitanës, Boulaye Dia, teksa më parë më parë vendasit pretenduan për një penallti, por spanjolli Antonio Mateu Lahoz vijoi lojën.

“Luanët e Terangës” e nisën me gol edhe pjesën e dytë. Famara Diedhiou u “zhyt” me kokë duke shënuar një gol shumë të bukur. Senegali uli ritmin dhe Katari gjeti golin e parë në këtë kompeticion me anë të Mohammed Muntari (78’), i cili u fut në fushë katër minuta përpara golit.

Sulmuesi shtatlartë fitoi duelin ajror me Kalidou Koulibaly dhe dërgoi në festë tifozët e pranishëm në stadium. Senegali reagoi edhe realizoi golin e qetësisë në minutën e 84’. Sulmuesi i Marseille, Bamba Dieng finalizoi një kundërsulm të skuadrës së tij.

Në fund festë afrikane, me Senegalin që ngjitet në kuotën e tri pikëve në grupin A dhe luan finalen me Ekuadorin (29 nëntor). Katari mbetet në kuotën e zero pikëve dhe praktikisht eliminohet nga Kupa e Botës, por vetëm matematika mban në lojë vendin organizator.