SERBI, 21 prill 2013– Serbët e veriut të Kosovës ndihen të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga Qeveria e Serbisë, për faktin se nënshkrimi i marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës për veriun e këtij vendi, më 19 prill në Bruksel, nënkupton kapitullimin e Serbisë dhe poshtërimin e serbëve të veriut, vlerësojnë liderët serbë të kësaj pjese të vendit.

Ata paralajmërojnë se do t’i përdorin të gjitha mjetet dhe mënyrat legjitime për të penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe integrimin e veriut në institucionet e Kosovës.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, autoritetet e Beogradit e kanë shembur Kushtetutën e Serbisë, ndërkohë që autoritetet e Prishtinës e kanë ruajtur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas tij, rezistenca e serbëve të veriut, fillimisht do të orientohet ndaj Beogradit zyrtar.

Lideri tjetër i serbëve të veriut, Radenko Nedeljkoviq, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se serbët edhe më parë e kanë shprehur vullnetin e tyre se nuk dëshirojnë integrimin në institucionet e Kosovës dhe se dëshirojnë të mbeten qytetarë të Serbisë.