Menaxhimi i  një biznesi kërkon punë dhe impenjim maksimal për të garantuar si cilësinë e shërbimit, por edhe për t’i bërë ballë konkurencës. Ndërsa administron prej 10 vitesh lokalin e tij në plazhin e Durrësit, Shahin Hamiti, një shtetas nga Maqedonia, thekson se garantimi i furnizimit të rregullt me ujë, energji elektrike si dhe sigurimi i rendit dhe qetësisë publike kanë qenë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e bizneseve turistike.

Keni ardhur nga Maqedonia për të hapur aktivitet në Durrës. Si u lindi mendimi për të ndërmarrë këtë veprim?

Ideja për të ardhur në Durrës na ka lindur pas përfundimit të luftës në Kosovë. Babai im quhet Hamit Hamiti. Ai ka punuar 45 vite në Bosnje sa në një qytet në një tjetër. Pak shqiptarë mund të kenë qëndruar kaq gjatë në një vend të huaj. Edhe unë kam qenë atje dhe kam punuar me babanë. Atje baba punonte pastiçier. Puna ishte me mund të madh megjithatë ia dilnim mbanë duke ndihmuar e duke u mbështetur tek njëri-tjetri. I pari që e dha mendimin për të ikur nga Bosnja ishte baba i cili më tha se kishte dëshirë të hapte një biznes në Durrës edhe pse po i kalonte të 60 vitet. Në Kosovë kemi miq e të njohur. Duke qenë gjithë jetën larg tyre babës i erdhi në mendje të ikte dhe kjo do i shërbente për t’u çmallur edhe me të njohurit nga Kosova. E pleqëruam dhe e vendosëm. Erdhëm këtu në Durrës në vitin 2001. Morëm një lokal me qera tek sektori Hekurudha dhe si fillim nisëm të tregtojmë akullore. Puna na eci mbarë. Duke qenë se kontratën mund ta zgjasnim për dhjetë vite vendosëm ta shtonim aktivitetin. E rregulluam lokalin, investuam në mobilimin e brendshëm, blemë pajisje të reja nga jashtë vendi dhe veç akulloreve filluam të gatuajmë pica dhe me kalimin e kohës e kthyem në restorant. 

Jeni të kënaqur me atë që keni arrirë me biznesin tuaj gjatë këtyre dhjetë viteve?

Përgjithësisht po. Si gjithandej puna ka vështirësitë e veta. Ne e bëjmë krahasimin me Bosnjen. Këtu jemi si në vendin tonë dhe punët ecin më mbarë. U shërbejmë njerëzve tanë, bisedojmë e gëzojmë së bashku. Babës i ka munguar shumë kjo gjë dhe ne e ndiejmë gëzimin e tij. Takohet me të afërm e të njohur nga Maqedonia e Kosova, u lë takim tek lokali, rri me ta në kohën e mbarimit të punës. Ai punon edhe sot që është 70 vjeç, jo në pastiçeri, por në akullore. Këtë vit kam hapur edhe një tjetër lokal. Ne ia kemi vënë emrin lokalit “Liburna Vitamin Aga”. Kemi bashkuar emërtimin që e kemi marrë nga një anije e vjetër ilire me atë të një lokali të mikut tonë në Maqedoni. Shërbejmë si familje, unë, baba, gruaja, dy djemtë e mi si dhe kemi punësuar disa djem të tjerë. Kuzhinierët janë nga Maqedonia, pasi njohin edhe specialitetet e gatimit, ndërsa punonjësit e tjerë janë të përzier, edhe nga Durrësi, edhe nga Maqedonia. E nisim aktivitetin me 1 maj dhe e mbyllim diku nga shtatori me t’u hapur shkollat. Gjatë muajit maj-qershor punojmë me klientë vendës, në korrik-gusht vijnë pushues e turistë. Me kalimin e viteve shumë gjëra kanë shkuar në vendin e tyre. Kemi ujë, drita, qetësi, siguri. Jemi të kënaqur dhe fitimi ka qenë i mbarë.

Sa ka shkuar investimi që keni bërë në të dy lokalet?

Saktësisht nuk mund ta them, por mendoj se kemi investuar mbi 60 mijë euro. Vërtet të dy lokalet i kemi me qera, por na është dashur të investojmë për të qenë të kërkuar dhe për të përballuar konkurencën. Aktiviteti është shtuar. Në secilin lokal kam nga 50 tavolina duke shërbyer si restorant e piceri. Klientët janë të kënaqur. Është lehtë ta kuptosh nëse klienti u nda mirë apo jo me lokalin. Nëse ndodh të jetë larguar i kënaqur vjen përsëri dhe në këtë drejtim ne jemi shumë mirë. Tre gjëra kërkon kjo punë që bëjmë ne, tre gjëra duhen mbajtur në qendër të mendjes nëse duam të bëjmë biznes: Cilësi, Pastërti, Shërbim. Këto janë matësit e parë e të fundit. Më është dashur të punoj shumë me kamarierët pasi veç dembelizimit të shfaqur jo rrallë, kishin pak njohuri për mënyrën e komunikimit me klientin. Këtë problem e vë re edhe tek shumë lokale. Duke qenë të pakualifikuar ndodh që kamarieri të komunikojë me klientin i ulur, pa uniformë, duke u përtypur e të tjera shfaqje që bëjnë përshtypje jo të mirë.

Edhe mënyra e komunikimit është me jo pak peshë për thithjen e pushuesve. Sa më pastër e qartë të komunikohet, sa më me dashamirësi të pritet e të përcillet klienti, aq më shumë ecën biznesi. Unë kamarierët i kam marrë në Maqedoni. U paguaj rrogën, ushqimin, fjetjen, dritat, ujin dhe shërbimet e tjera. Kjo për arsye se djemtë vendës nuk janë të kualifikuar e të kujdesshëm. Një veprim i tillë më ka kushtuar, por ia ka vlejtur. “Liburna” ka emër të madh dhe kjo nuk duhet nënvleftësuar asnjëherë. Kur investova 60 mijë euro isha i bindur se po bëja gjënë më të mirë. Tani kam klientë të shumtë. Ata vijnë edhe për fasulen tetovare, edhe për gullashin apo specat e mbushur, edhe për gatime të tjera të vendit apo të Kosovës e Maqedonisë. Unë besoj se kemi ndikuar shumë në zhvillimin e turizmit në Durrës dhe ne nga Maqedonia duke sjellë jo vetëm kuzhinën tonë, por edhe kulturën e traditën.