Burg pa afat, është kjo masa e sigurisë që caktoi Gjykata për shefin e stërvitjes në repartin RENEA, Altin Morina i cili u kap në zonën e Kodrës së Diellit me 113 mijë euro, kekë dhe paund.

Forcat shqiponja të mërkurën e 15 Marsit nga kontrolli i mjetit tip Audi të 43-vjeçarit në sediljen e përparme të makinës gjetën para të prerjeve 50, 200 dhe 500 euro të mbështjella me qese marketi, të cilat u sekuestruan ndërsa 43-vjeçari u vu në pranga për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave”  dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Para togave të zeza Morina u shpreh se paratë nuk janë si burim i një aktiviteti kriminal, por  janë të ligjshme dhe janë tërhequr në bankë 30 minuta para se të arrestohej.

Ai është shprehur se paratë i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen për arsye personale, si dhe ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me Prokurorinë që të hetojë origjinën e këtyre parave.

Nga ana tjetër policia e kishte survejuar pas sinjalizimeve të marra në rrugë operative dhe vendosi që punonjësi i Reneas ka shpërdoruar detyrën duke u vënë në shërbim të një aktiviteti jo të ligjshëm.

Edhe në fillimet e karrierës së tij Altin Morina është vënë në pranga pasi kundërshtoi kolegët e tij teksa ishte duke punuar si bodyguard në një lokal nate në zonën e Bllokut.