Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka akuzuar Rusinë se po terrorizon Ukrainën përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj zonave urbane dhe civilëve. Në një reagim të fortë, Kallas deklaroi se Moska, e përballur me vështirësi në frontin e luftës, po intensifikon sulmet ndaj qendrave të banuara.

“Rusia, e gjetur në një bllokim në fushën e betejës, po terrorizon Ukrainën me sulme të synuara në qendrat urbane. Këto janë akte terroriste të dënueshme, që synojnë vrasjen e sa më shumë civilëve të jetë e mundur”, u shpreh ajo.

Kallas ngriti shqetësim edhe për përdorimin e dyshuar nga Rusia të raketave balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, sisteme që sipas saj janë projektuar për të mbajtur koka bërthamore.

Sipas zyrtares europiane, përdorimi i këtyre raketave përbën “një taktikë frikësimi politik” dhe një rrezik serioz për përshkallëzim bërthamor.

“Ky është një rrezik i pamatur në tehun e thikës bërthamore”, paralajmëroi Kallas. Ajo bëri të ditur gjithashtu se javën e ardhshme ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të diskutojnë mënyrat për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Rusisë.