Kthehet në muzikë me klipin “Dashnia”, edhe pse nuk ka një dashuri në jetën e saj. Një vit pas shkëputjes, Sheila Haxhiraj vjen në një bashkëpunim me Ervin Gonxhin, duke sjellë një baladë me motive ballkanase.
Fituesja e “X Factor 1”, që i pëlqen muzika R&B, tregon në këtë intervistë për gazetën “Panorama” se përse zgjodhi fabulën e tradhtisë dhe si i pret komentet që i bëhen për pozat sensuale si modele.
Nuk e kishim imagjinuar se do të shihnim në bashkëpunim me Ervin Gonxhin. Çfarë të shtyu të kthehesh në muzikë me këtë baladë komerciale me motive ballkanase?
Thjesht më ngjiti materiali muzikor sapo e dëgjova. Më pëlqeu dhe mendova të bëja diçka më ndryshe, një këngë ku edhe teksti të kishte peshën e tij. Le të themi ishte ndryshe nga këngët e tjera, siç është trendi i sotëm.
E ke shprehur gjithmonë që të pëlqejnë ritmet R&B, çfarë të lidh ende me këtë muzikë?
Vazhdoj ta pëlqej atë rrymë, por kjo nuk do të thotë që nuk dëgjoj apo pëlqej edhe rryma të tjera muzikore. Për mua mjafton që të jetë një këngë e bukur, pavarësisht zhanrit që i përket.
Kënga e re i dedikohet një historie dashurie. A mund të ekzistojë për ty një dashuri e plotë, pa dhembje?
Natyrisht që jo, veçanërisht kur brenda saj ka edhe tradhti (siç është dhe fabula e këngës).
A ndjetë kimi me aktorin e klipit, Klodi Hoxhën?
(Qesh) Artistikisht po, pati kimi mes nesh, sepse të dy u përpoqëm emocionalisht të shprehnim “dhembje”, keqardhje për dashninë e humbur. Gjithsesi, interpretimi artistik i Klodit vetëm me gjeste fliste shumë, kështu që mendoj se i ka dhënë tjetër vlerë klipit.
Cilin stereotip mashkulli përfaqëson ai në këtë klip dhe cilën karakter vajze përfaqëson ti?
Të dy përfaqësojmë të njëjtin stereotip, pothuajse femër me karakter, mashkull me karakter që, pavarësisht tradhtisë, të dy vuajnë emocionalisht duke e përballuar atë me dinjitet.
Je shprehur se fabula nuk ka lidhje me jetën tënde personale. Ku u frymëzuat për të sjellë një histori dashurie që të na prekë zemrat?
Ishte diçka krejt spontane, duke qenë se edhe vija muzikore ishte pak melankolike. Ideja ishte e tillë që të vinte me pak dhembje, të flitej për një dashuri të madhe që po humbte.
Krahas muzikës, ke shumë pasion fotografinë. Si i ke pritur komentet që të janë bërë?
Nuk është se ndikohem shumë nga komentet, qoftë për mirë, apo për keq. Gjithsesi u jam mirënjohëse njerëzve që janë dashamirës karshi meje dhe përcjellin pozitivitet tek unë.
Fotot e tua janë gjithmonë sensuale, ku duket sikur shijon vetminë. Cilët janë fotografët që arrijnë të nxjerrin në dukje feminilitetin tënd?
Kam bashkëpunuar me fotografë të ndryshëm, por kryesisht fotot realizohen nga mikeshat e mia.
Ndihesh mjaftueshëm e bukur. A ndodh që edhe ty të mos të të pëlqejë diçka te vetja?
Në ndonjë rast, edhe mund të ndodhë. Nuk ka njeri perfekt.
Duke iu referuar titullit të këngës “Dashnia”, do të thotë që je e dashuruar edhe në jetë?
Jo, nuk jam.
Ti përballë meshkujve ndihesh e lakmuar, apo e moskuptuar?
(Qesh) Pfff… nuk e di…
Me çfarë je marrë këtë periudhë, një vit nga publikimi i klipit të parafundit?
Pak nga të gjitha. Koncerte, punë në studio, shkollë, familje, shoqëri.