Perandoria mediatike e ndërtuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán po përballet me shpërbërje të shpejtë pas humbjes së tij në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar.
Vetëm pak javë pas fitores bindëse të opozitës së qendrës së djathtë të udhëhequr nga Péter Magyar, disa figura të rëndësishme të mediave pro-Orban janë larguar nga postet e tyre, ndërsa një program kryesor lajmesh është anuluar.
Ndryshime janë vërejtur edhe në median publike, ku janë shtuar zërat opozitarë dhe është ndryshuar linja editoriale, ende pa hyrë zyrtarisht në detyrë qeveria e re. Ndërkohë, influencuesit pro-Orban thuajse janë zhdukur nga rrjetet sociale.
Këto zhvillime konsiderohen si çarjet e para serioze në sistemin mediatik të kontrolluar fort nga Orbán, i cili për vite me radhë është akuzuar për kufizim të lirisë së shtypit dhe centralizim të informacionit.
Qeveria e re hungareze, e betuar në fillim të kësaj jave, ka paralajmëruar reforma të thella në sektorin mediatik. Magyar e ka cilësuar median publike si një “fabrikë gënjeshtrash” dhe është zotuar të rikthejë lirinë e shtypit përmes një ligji të ri për median dhe krijimit të një autoriteti të ri rregullator.
Në zgjedhjet e 12 prillit, partia hungareze e qendrës së djathtë Tisza i dha fund sundimit 16-vjeçar të Orbanit dhe fitoi shumicën prej dy të tretash në parlament, të nevojshme për të zhbërë reformën kushtetuese të Orbanit.





