Nga porti i Durrësit që nga fillimi i vitit 2017 janë transportuar drejt porteve të tjerë 297.700 tonë çimento për eksport, një sasi shumë më e madhe se sa ajo që është ngarkuar në anijet e transportit gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2016.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se çimento “made in Albania” që prodhohet në fabrikat e rajonit të Fushë-Krujës është ngarkuar kryesisht në anijet “Sirios Cement 1”, Vela 1”, “Seaven Luck” dhe “Edra IV”, të cilat që nga fillimi i vitit, kanë transportuar më shumë se 95 për qind të çimentos për eksport.

Anija “Sirios Cement 1” me gjatësi 139 metra ka ngarkuar më shumë se 20 herë sasi të ndryshme nga 4.500 tonë deri në 12.500 tonë çimento.

Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë-Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit i është drejtuar më pas porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës.