Shijak, 8 mars 2014 – Nis aksioni për pastrimin e lumit Erzen. Rreth 150 vullnetarë dhe punonjës të administratës lokale kanë nisur paraditen e së shtunës punën për pastrimin e shtratit të lumit Erzen, niveli i ndotjes së të cilit është mjaft alarmant. Aksioni i pastrimit është inspektuar nga afër edhe nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ndërsa u takua me njerëzit e angazhuar në këtë aksion pastrimi, Koka fajësoi për nivelin e lartë të ndotjes qytetarët dhe njësitë vendore nëpër të cilat kalon ky lumë. Sipas Kokës, lumi Erzen është parë si një vend depozitimi mbeturinash, të cilat jo pak herë kanë përfunduar edhe në brigjet e vendeve fqinje.

"Besoj se e shikoni që nuk ka sjellje më armiqësore sesa kjo që i është bërë bukurive të natyrës që na ka dhuruar Zoti. Kryetarët e komunave dhe bashkive e kanë transformuar lumin Erzen në një vend depozitim të madh, në një lumë famëkeq jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për vendet fqinje ku përfundojnë shpesh mbetjet tona. Të mos harrojmë edhe dëmin e pallogaritshëm që bëhet ndaj turizmit shqiptar me hedhjen e këtyre mbeturinave”- u shpreh Koka. 

Ky mendohet të jetë aksioni më i madh i ndërmarrë këto 23 vitet e fundit për pastrimin e lumit Erzen. Aksioni i cili nisi që në orët e para të mëngjesit u shtri nga Ura e Shijakut deri në vendin e njohur si ura e "Sul Golemit". Për pastrimin e shtratit të lumit Erzen u angazhuan dy mjete të rënda, të cilët u përqendruan në pastrimin e shtratit të lumit nga mbetjet urbane të depozituara aty prej vitesh.

Një aksion i ngjashëm pritet të kryhet në javët në vijim edhe në lumin Ishëm, i cili konsiderohet si një nga lumenjtë më të ndotur në vend.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/