Një banesë është shkrumbuar plotësisht në fshatin Rubjekë, duke lënë në qiell të hapur familjen prej 7 anëtarësh.

Burimet nga njësia administrative Maminas kanë pohuar se zjarri ka shpërthyer rreth orës 23:30 të natës së shkuar, ndërsa në banesë ka qenë vetëm kryefamiljari 61-vjeçar, Vebi Domi, i cili ka shpëtuar pa u lënduar.

Isha në gjumë vetëm kur mori zjarr batanija që isha mbuluar kam dalë jashtë. Kasollen e bagëtisë e kisha tre metra larg doja të nxirja lopën dhe dhitë por flakët i kishin përpirë.

Nuk i nxora dot. Shtëpinë e kisha me llamarina mbuluar, po prisnim pranverën të ndërtonim shtëpinë e re se na e prishi tërmeti atë që patëm. Shteti na kompesoi sa na kishin dhënë 15,7 milionë lekë, por edhe ato u dogjën.

Nuk mora dot asgjë veç dola gjallë… Mu dogjën të gjalla bagëtitë. Mu dogj lopa që shisja qumështin e mbanim frymën gjallë. Mbetëm prapë pa shtëpi, pa katandi në një çadër”, thotë 61-vjeçari.

Vebi Domi kërkon ndihmë, pasi ka mbetur sërish pa shtëpi, por këtë radhë fatkeqësia është edhe më e madhe se ajo e tërmetit tre vjet më parë.

Tre mjete zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, por gjithçka ishte djegur pasi shërbimi zjarrfikëse u lajmërua me vonesë.