Vijon operacioni “Fati i lojërave”, me fokus goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Policia në Krujë ka arrestuar një 32-vjeçar që kishte përshtatur lokalin që kishte në përdorim, me makineta dhe kompjutera, për të organizuar lojëra fati. Procedohet penalisht pronari i këtij lokali.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave” që ka si qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe në ambiente të tjera, ku mund të ushtrohet kjo veprimtari.

Si rezultat, është goditur një rast i përshtatjes së një lokali, me makineta dhe kompjutera, për të organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin, është arrestuar në flagrancë shtetasi R. P., 32 vjeç, si dhe janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. N., 52 vjeç, të dy banues në Thumanë.

32-vjeçari kishte përshtatur lokalin që kishte në përdorim, me 4 makineta dhe 1 kompjuter që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, për të organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Shtetasi G. N. u procedua, pasi kishte në pronësi lokalin ku kryhej kjo veprimtari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.