TIRANË- Shoqëria Civile prezantoi sot, gjatë një aktiviteti të organizuar në Hotel 'Tirana International', librin e opinioneve dhe peticioneve "Përse më shumë gra në politikë?". Në aktivitetin e organizuar nga koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile mbi Reformën Zgjedhore, për forcimin dhe zbatimin e kuotës gjinore dhe pjesëmarrjes së grave në politikë, veç prezantimit të librit, iu bë thirrje dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore që të dëgjojë kërkesat e shoqërisë civile, pasi është zëri i qytetarëve shqiptarë.
Edlira Çepani, koordinatore kombëtare e organizatës "Barazi në Vendimmarrje", duke prezantuar librin theksoi se "realizimi i tij është bazuar në opinionet e qytetarëve në të 12 qarqet e vendit".
"Në libër janë vetëm gjysma e opinioneve të qytetarëve shqiptarë, por janë të shkruara ashtu siç janë thënë nga ata. Janë shkruar shkurt, por thelbi del qartë në pah, pasi shqiptarët e duan barazinë gjinore", tha Çepani.
Ajo i bëri thirrje politikës për më shumë vëmendje.
"Të gjithë deputetët, drejtuesit e partive politike duhet të dinë se në këtë libër pasqyrohet zëri i qytetarit si asnjëherë tjetër, dëgjohet zëri i tij më shumë se kurrë dhe prandaj komisioni i reformës zgjedhore duhet ta vlerësojë atë”, përfundoi Çepani.
Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, e caktuar nga koalicioni ad-hoc për të përcjellë kërkesat e shoqërisë civile në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i njohu pjesëmarrësit me ecurinë e diskutimeve në Komision.
"Komisioni i reformës zgjedhore nuk pranon të marrë në shqyrtim kërkesat tona, që nuk janë gjë tjetër veçse e drejta jonë", theksoi ajo. Ne, shtoi Arqimandriti, "kemi parë se politikanët individualisht na mbështesin me fjalë, por nuk ndërhyjnë me vepra. Gratë politikane duan të ketë barazi gjinore, por zëri i burrave të partisë ku aderojnë është më i fortë”.
Altin Hazizaj, përfaqësuesi i koalicionit "Për Pjesëmarrjen e Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë", në fjalën e tij theksoi se “ne nuk duam që gratë të zenë vendin e burrave, por të marrin atë vend që i takon në drejtimin e vendit”, duke ritheksuar më tej dhe rrugën e ndjekur nga koalicioni për të rritur numrin e zonjave dhe zonjushave në vendimmarrje.
Patrik Svensson, Ambasadori i Suedisë, pjesëmarrës në aktivitet, duke vlerësuar këtë iniciativë, garantoi mbështetje të plotë nga ambasada që ai përfaqëson. "Vendi që unë përfaqësoj, Suedia mban një nga vendet e para në botë për numrin e zonjave në vendimmarrje. Unë, në emër të vendit tim, ju inkurajoj të vijoni në këtë rrugë dhe shpresojmë që zëri juaj të dëgjohet”, theksoi Ambasadori suedez.
Sakaq, aktiviteti i sotëm është në vrazhdën e aktivieteve të orgnizuara prej koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile mbi Reformën Zgjedhore për forcimin dhe zbatimin e kuotës gjinore dhe pjesmarrjes së grave në politikë.
Institucionet shtetërore në Shqipëri kanë mbështetur në vijimësi përfshirjen e grave në vendimarrje dhe jetën politike duke hartuar për këtë dhe legjislacionin përkatës. Kështu kodi zgjedhor shprehet qartë që 30% e kandidimeve në parlament dhe pushtet vendor duhet të jenë gra e vajza. Por ende kjo lë për të dëshiruar pasi sot në Kuvendin e Shqipërisë ka 22 gra deputete mes 140 vendeve në parlament.