Ndeshja Teuta-Vllaznia, e vlefshme për gjysmëfinalen e tretë të play off-it në basketboll për meshkuj luajtur në Durrës është anuluar. 

Në fund të periodës së dytë basketbollisti i Teutës, Elian Memçaj, realizoi një trepikësh, i cili u kontestua nga Vllaznia me motivacion se kishte përfunduar koha. 

Pas pushimit, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi, kërkoi që sirena e kohës të jetë automatike.

Pallati i sportit “Ramazan Njala” është i certifikuar, dhe në të janë luajtur qindra ndeshje, madje dhe të BIBL.

Edhe 2 ndeshjet me ekipin e Vllaznisë gjatë këtij sezoni janë luajtur normalisht dhe pretendime të tilla nuk janë ngritur. 

Pavaresisht negociatave të Teutës dhe sekretarit të përgjithshëm të FSHB-së, Franko Bushatit, për rifillimin e ndeshjes, Vllaznia refuzoi të rikthehej në parket.

Në këto kushte gjyqtarët vendosën të ndërpresin ndeshjen dhe tani do të vendosë Komisioni i Garave në FSHB për fatin e këtij takimi.

Ndëkohë kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, u shpreh se kjo situatë është e pazakontë dhe theksoi se ekipi i tij kërkon të fitojë në fushë. 

Ndeshja u anulua kur rezultati ishte 47-40 për Teutën, ndërsa mbetën pa u zhvilluar edhe dy perioda.