Pritjes së ëmbël i ka ardhur fundi për supermodelen Gigi Hadid.

Përmes një postimi në Instagram, ajo ka bërë me dije se fundjavën që lam pas ka sjellë në jetë vogëlushen e saj të parë.

“Vajza jonë u bashkua me ne në tokë këtë fundjavë dhe ajo tashmë ka ndryshuar botën tonë. Kam rënë në dashuri”, shkruan Gigi krahas fotos, ku shfaqet teksa dora e vockël e së bijës së porsalindur ka kapur gishtin e saj të madh.

Edhe partneri i modeles, këngëtari Zayn ka publikuar në Instagram një foto duke mbajtur dorën e vajzës ndërsa shkruan:  

“Vajza jonë është këtu, e shëndetshme dhe e bukur, të provosh të shprehësh me fjalë se si po ndihem tani do të ishte një detyrë e pamundur. Dashuria që ndiej për këtë njeri të vogël është përtej kuptimit tim. Mirënjohës që e njoh dhe krenar për ta quajtur timen dhe mirënjohës për jetën që do të kemi së bashku.”, pa zbuluar sesi do të quhet vogëlushja.