Goditet një tjetër rast i kontrabandës në Qafë-Botë, Sarandë, ku jane sekuestruar mallrat kontrabandë si dhe janë shpallur ne kërkim 4 shtetas, ndër ta 2 doganierë.

Pas një hetimi të nisur prej Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë dhe Policinë e Sarandës, lidhur me parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, trafiqeve të ndryshme dhe kontrabandës, u sekuestrua një sasi mallrash të cilat hynin kontrabandë në kufirin shtetëror shqiptar prej Pikës së Kalimit Kufitar në Qafë-Botë.

Konkretisht është sekuestruar mjeti kamion me targa AA 537 OF tip “Benz” me të cilin bëhej kalimi i mallrave në Shqipëri, gjithashtu në brendësi të kamionit janë sekuestruar nga Policia në cilësinë e provës materiale rreth 140 thasë me veshje, 9 televizorë, si edhe sende shtëpiake si lavatriçe, dollape, dyshekë, tapete etj.

Si autor të kësaj veprimtarie të kundraligjshme kanë rezultuar shtetasit: K.S., S.M., (shoferë të kamionit) dhe A.C., E.D., (doganier në PKK Qafë-Botë), që kanë bashkëpunuar dhe kanë lejuar kalimin dhe futjen e këtyre mallrave pa i deklaruar në Pikën e Kalimit të Kufirit shqiptar.

Të katërt shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme janë shpallur në kërkim pasi janë larguar në momentin kur kanë kuptuar se Policia po zhvillonte një hetim dhe u ishte vënë në ndjekje.