Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha gjatë një interviste se në programin e qeverisë parashikohet një rritje e pagave për mjekët, infermierët dhe administratën publike, nga viti 2022.

Këtë deklaratë Ibrahimaj e bëri në News 24, ku ndër të tjera foli edhe për daljen e Shqipërisë në Eurobond, ku pritet të kërkohet një borxhi ri, me një vlerë që shkon nga 500-700 milionë euro.

“Në programin e qeverisë parashikohet rritja e pagës për mjekët, infermierët dhe administratën publike dhe gjithashtu një rritje e pagës minimale. Të gjitha këto gradualisht fillojnë që prej vitit 2022 për t’u rritur më vonë gjatë viteve në vijim”, tha Ibrahimaj.

Ndërkohë e pytur lidhur me bonusin e pensionistëve, Ministrja nuk e konfirmoi për këtë fundvit, kur tha se nga viti i ardhshëm ky zë do të përfshihet në buxhet. “Për qeverinë është prioritet dhënia e bonusëve për pensionistët. Edhe në vitet më të vështira, qeveria e ka gjetur mundësinë të financojë bonusin e pensionistit dhe ka marrë angazhimin që nga viti i ardhshëm ky zë të përfshihet si zë buxhetor dhe të mos ketë më pikëpyetje për dhënien e bonusit të pensionistit cdo vit”.