Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin si shpërblim një shumë prej 50 mijë lekësh të vjetër me rastin e festave të fundvitit.

Nga fondi prej 98 milionë e 400 mijë lekësh që qeveria miratoi pak ditë më parë për shpërblimet e policëve, pasi të kompletohen të gjithë efektivët pa përjashtim, përveç atyre që janë me masë disiplinore, pjesa tjetër e lekëve do të ndahet për punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë arritur rezultate më të mira në detyrë. Paraprakisht, punonjësit e policisë që do të përfitojnë shpërblim shtesë do të jenë nga radhët e FNSH-së, të RENEA-s, punonjësit e komisariateve, apo edhe ata të Drejtorive të Policisë në qarqe.

Ndërkaq, brenda këtij muaji, pritet që efektivët e Policisë së Shtetit të marrin edhe paratë që u takojnë për orët e punës jashtë shërbimit. Shuma e parave që do të paguhet për çdo efektiv është me 20% shtesë.