Nisma “Një dhuratë, një buzëqeshje” bëri të lumtur sot fëmijë të disa familjeve në nevojë të qytetit të Durrësit.

Iniciativa qytetare e ndërmarrë në prag të festave të fundvitit u përmbyll sot me një aktivitet në sheshin qendror të qytetit, ku u mbajt edhe një koncert festiv me këngë, numra baleti dhe pjesë instrumentale, të interpretuara nga nxënësit e shkollave “Mihal Ekonomi” dhe “Jan Kukuzeli”.

Mes një atmosfere festive, karakteristike për këtë periudhë të vitit, u bë edhe shpërndarja e dhuratave, pjesa më e madhe e të cilave ishin përgatitur nga nxënësit e shkollës jo publike “Mihal Ekonomi”, por nuk mungonin dhe kontributet nga qytetarë të shumtë.

Nxënësit e shkollave të mesme “Gjergj Kastrioti” dhe “Leonik Tomeo” zhvilluan një fushatë sensibilizuese në qytet për të ftuar sa më shumë qytetarë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme të bukur, të ndërmarrë nga 4 mikeshat Anila Jorgo, Dalina Beshiri, Vali Qyrfyçi dhe Nevila Kalaja.