Një i moshuar ka rrezikuar jetën mbrëmjen e sotme, teksa zjarri që ka rënë në banesë ka përfshirë shumë shpejt gjithçka. Bëhet fjalë për një banesë në qytetin e Gjirokastrës, konkretisht në banesën e 86-vjeçarit me iniciale P.K.

Siç bën të ditur Shërbimi Zjarrfikës në Gjirokastër, zjarri është shkaktuar nga montimi jo i duhur i bomblës së gazit me sobën për ngrohje. I moshuari nuk ka arritur ta montojë siç duhet dhe në kohën që e ka ndezur sobën, ka shpërthyer zjarri.

I moshuari ka arritur të dalë nga shtëpia, ndonëse ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore për shkak të asfiksimit nga tymi. Nga ana tjetër, dëmet e shkaktuara në banesë janë të mëdha, pasi flakët kanë djegur gjithçka.

Shërbimi Zjarrfikës ka ndërhyrë duke fikur flakët dhe duke mos lejuar përhapjen e tyre tek banesat e tjera.