KOSOVE– Nga një shpërthim i fuqishëm sot herët në mëngjes, në orën 02.30. në Mitrovicën veriore, është dëmtuar një automobil i një serbi nga Kosova me inicialet D. J.

Materiali shpërthyes me gjasë ishte vendosur nën automobilin e parkuar në njërën nga rrugët kryesore të qytetit e nga copat e shpërthimit është dëmtuar edhe lokalit para të cilit ishte parkuar vetura.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, ka thënë se personi në fjalë, ishte sulmuar edhe më herët gjatë muajit janar.

“Po ka ndodhur një shpërthim ku është dëmtuar një lokal dhe një automobil, policia po vazhdon punën e vet, deri më tani nuk dihen motivet e këtij sulmi. Cak i një sulmi po i njejti person ka qenë edhe gjatë muajit janar”, ka thënë Hoti për Indeksonline.

Pjesë të automobilit të dëmtuar kanë arritur në perimetrin prej 50 metrash. Në vendin e ngjarjes ka dalë menjëherë policia e Kosovës dhe pjesëtarët të KFOR-it.

Para tri ditësh në Mitrovicë kishin ndodhur edhe tri shpërthime të tjera.